24 ore lajme: Topi : Hetoni pasuritë që zyrtarët kanë jashtë Shqipërisë Topi : Hetoni pasuritë që zyrtarët kanë jashtë Shqipërisë ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 10 July, 2008 02:17:00 Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka folur hapur dje në 5 vjetorin e krijimit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Gjatë fjalës së mbajtur, Kreu i Shtetit ka ftuar Inspektoratin që të bëhet pjesë e rëndësishme e një infrastrukture kontrolli me partnerët ndërkombëtarë për ato pasuri të zyrtarëve, që, sipas tij, mund të jenë edhe jashtë Shqipërisë. "Shumë gjëra i marrim vesh edhe nëpërmjet bisedave të përditshme e natyrshëm edhe nëpërmjet një bisede në kafene. Ka ardhur momenti që Shqipëria dhe institucionet e saj, institucioni juaj, të bëhen pjesë shumë e rëndësishme e një infrastrukture kontrolli me partnerët ndërkombëtarë, qoftë edhe për të hequr ato dyshime, që në mjaft raste ekzistojnë dhe ne i dëgjojmë, që një pjesë e pasurive, qoftë e zyrtarëve të cilët janë të detyruar t'i deklarojnë, por edhe të një pjese tjetër, që nuk konsiderohen zyrtarë të administratës, një pjesë e pasurive të tyre mund të jenë edhe jashtë Shqipërisë. Pra, të jemi realistë, gjërat t'i trajtojmë ashtu siç duhen trajtuar",- tha dje presidenti Topi. Kreu i shtetit shtoi se ky proces duhet thelluar më tej. "Pra, nga nocionet sasiore, duhet të kalojmë në nocionet e cilësisë. Jam i bindur që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë perfeksionohen metodat korruptive dhe aq më shumë duhet të perfeksionohemi ne të gjithë për të nxjerrë metoda shumë cilësore, në mënyrë që të jemi efikasë, në mënyrë që të mos jemi sipërfaqësorë, në mënyrë që askush që abuzon me postet publike, të mos fshehë pasurinë e tij, qoftë pasurinë fizike, qoftë pasurinë monetare",- tha ai. Bazuar në kontaktet me qytetarët, informacionet nga media, por edhe nga raportet ndërkombëtare, Presidenti i Republikës shtoi se shqetësues mbetet edhe niveli i korrupsionit në disa sektorë. "Ne kemi shansin të bisedojmë çdo ditë me qytetarët, pavarësisht se kontakti me qytetarët, kontakti fizik vjen duke u reduktuar për hir të pozicionit, unë ju siguroj që kontakti me qytetarët sot është shumë i larmishëm. Është nëpërmjet korrespondencave, shpeshherë bëhet nëpërmjet zërit publik që ata kanë nëpër kanalet e medias dhe sigurisht edhe nëpërmjet kontakteve direkte. Shohim sondazhet, të dhënat që vijnë nga institucionet shtetërore dhe shoqëria civile. Të gjitha këto burime jopolitike vazhdojnë të ngrenë me shqetësim ekzistencën e korrupsionit dhe të mentalitetit korruptiv tek një numër zyrtarësh të të gjitha niveleve. Unë mund t'ju them që raportet ndërkombëtare shpeshherë kanë konstatuar dhe kanë shprehur me tone kritike që në disa sektorë ka problematika ku korrupsioni është më i ndjeshëm, ashtu sikurse edhe vetë qytetarët, po bëhen gjithnjë e më shumë aktivë në kërkesat e tyre",- tha ai. Topi shtoi se, "çdo rast akuze, apo denoncimi publik e mediatik, duhet të sqarohet e të konsiderohet deri në fund. Ne tashmë kemi mekanizmat e nevojshëm ligjorë, që konfliktet e interesit dhe abuzimet financiare të mos i mësojmë, siç ndodh rëndom, kur ndodhin ngjarje të rënda apo skandale, që bëhen pjesë e medias, në radhë të parë, që bëhen pjesë e sensibilizimit të institucioneve. Normalisht, duhet të ndodhë e kundërta. Janë institucionet ato që bëjnë parandalimin, në mënyrë që skandalet të mos dalin pastaj në media".