Presidenti Topi dekreton gjashte anetaret e rinj te Gjykates se Larte
Pas tre javësh konsultime me grupin e ekspertëve Presidenti I Republikës Bamir Topi ka përzgjedhur 6 emrat e rinj për vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Kreu I shtetit ka firmosur dekretim për 6 prej 105 kandidaturave të paraqitura pranë presidencës për garën në Gjykatën e Lartë.
Kështu Presidenti I Republikës I çon për votim kuvendit emrin e Aleksandër Muskajt, ish-anëtar i KLD-së, aktualisht gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Arjana Fullani, gjyqtare për njëmbëdhjetë vjet, aktualisht Drejtore e Shkollës së Magjistraturës prej tetë vjetësh. Andi Çeliku, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për 6 vjet, aktualisht avokat prej dhjetë vjetësh. Evelina Qirjako, avokate prej nëntëmbëdhjetë vjetësh. Guxim Zenelaj, gjyqtar për katër vjet, ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë për trembëdhjetë vjet, ish-Avokat Përgjithshëm i Shtetit, aktualisht anëtar i KLD-së. Majlinda Andrea, gjyqtare prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Dekretet e presidentit publikohen një ditë pasi kuvendi miratoi me konsensus ndryshimet në rregulloren e kuvendit të cilat mes të tjerash legjitimojnë të drejtën e organit ligjvënës për të hetuar mbi propozimet e kreut të shtetit në Gjykatën e Lartë e për të zhvilluar seanca dëgjimore me kandidatët tashmë të dekretuar. Me 13 qershor vetëm pak ditë pasi kuvendi rrëzoi 5 emrat e parë të propozuar për në Gjykatën e Lartë presidenti Topi njoftoi ngritjen e grupit të jursitëve nëpërmjet të cilëve ai do të konsultohej për emrat e rinj por vetëm për kriteret që kandidatët duhet të plotësonin e në mënyrë kategorike jo për emrat e përveçëm.
Pas ndryshimeve në rregullore do të jetë Komisioni i Ligjeve që sipas rregullores së re brenda tre javësh duhet të shprehet mbi 6 emrat që tashmë i ka dekretuar Presidenti i Republikës, çka do të thotë që deri më 28 korrik kuvendi duhet të votoje për të mbushur vakumin disa mujor në Gjykatën e Lartë e cila tashmë nuk ka as kryetar.
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg
Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj