24 ore lajme: Presidenti Topi priti Komisionerin e Bashkimit Evropian për Shkencën dhe Kërkimin, Janez Potoçnik. Presidenti Topi priti Komisionerin e Bashkimit Evropian për Shkencën dhe Kërkimin, Janez Potoçnik. ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 06 May, 2008 07:07:00 Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë Komisionerin e Bashkimit Europian për Shkencën dhe Kërkimin, i cili shoqërohej edhe nga Ambasadori i BE-së në Tiranë, Helmut Lohan. Presidenti Topi pasi uroi mirëseardhjen në vendin tonë, përshkroi reformat e thella të ndërmarra me synim plotësimin e standardeve integruese për në familjen e madhe europiane, si reforma gjyqësore dhe ajo zgjedhore, dhe ku një vend të rëndësishëm zë edhe reformimi i arsimit të lartë dhe i instituteve të kërkimit shkencor. Kreu i shtetit theksoi se të gjitha këto reformime po bëhen në funksion të përmbushjes me sukses të dy sfidave kryesore integruese të Shqipërisë: anëtarësimin e plotë në Alencën e Atlantikut Verior dhe integrimin në Bashkimin Europian, ku është tepër e rëndësishme përgatitja e kualifikuar e administratës, e kërkuesve shkencorë, pedagogëve dhe e brezit të ri të studentëve shqiptarë që po diplomohen. Komisioneri Potoçnik vlerësoi përparimet dhe arritjet e shënuara nga vendi ynë në fushën e arsimit dhe të shkencës, duke vënë në dukje edhe punën e mirë të strukturave shtetërore shqiptare në këtë drejtim, dhe theksoi se Bashkimi Europian, për të përmbushur procesin e tij të zgjerimit me anëtarë të rinj, është i gatshëm të ndihmojë duke ofruar përvojën e vet të pasur në fushën e arsimit, kërkimit dhe studimeve shkencore dhe rritjen e cilësisë, kapaciteteve dhe kualifikimit profesional. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo.