24 ore lajme: Presidenti Topi priti sot drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit Presidenti Topi priti sot drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 31 March, 2008 09:25:00 Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot dhe zhvilloi një takim pune në Presidencë me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit: me Presidentin e saj, Armando Duka, me zëvendëspresidentin, Bujar Kasmi dhe anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Skënder Hyka. Kreu i shtetit theksoi se si President i Republikës e ka ndjekur me mjaft vëmendjen çështjen e pezullimit nga garat ndërkombëtare të kombëtares tonë të futbollit jo vetëm për shkak të detyrimeve institucionale, por edhe për shkak të interesimit personal për sportin, veçanërisht për futbollin duke vënë në dukje se sporti ka një mision të jashtëzakonshëm dhe se pjesëmarrja e ekipieve kombëtare në garat ndërkombëtare është një përfaqësim tepër i rëndësishëm dhe një rol prej ambasadori të vërtetë në promovimin e vlerave të Shqipërisë në Europë dhe kudo në botë. Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi e informuan Presidentin e Republikës rreth situatës aktuale mjaft shqetësuese, i shprehën nevojën dhe domosdoshmërinë për të gjetjen sa më shpejt të një zgjidhjeje, duke nënvizuar edhe gatishmërinë e tyre për të dialoguar e bashkëpunuar. Presidenti Topi vuri në dukje nevojën për të diskutuar rreth mundësive për të dalë sa më shpejt nga kjo gjendje, për të mos i lënë gjërat pezull, por që ato të marrin vlerën e komunikimit zyrtar dhe t’i jepet rëndësi ligjit dhe standardeve ndërkombëtare, dhe i siguroi drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit se do të bëjë çdo përpjekje brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë institucionale dhe thelbësore.