Zhvillohet mbledhja e Keshillit te Larte te Drejtesise
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, njëkohësisht Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në hyrje të mbledhjes së këtij Këshilli, ka bërë publike dy drejtimet ku do të përqëndrohet puna e KLD-së me qëllim përfshirjen e autoritetit të sistemit të drejtësisë dhe të rritjes së besueshmërisë në publik: monitorimi me seriozitet profesional i vendimeve të marra nga KLD-ja, veprimtarive gjyqësore në inspektim, duke i dhënë në mënyrë absolute prioritet të vërtetës dhe jo favorizimeve ndaj individëve të caktuar, si dhe krijimit të një kuadri të plotë nënligjor për rregullimin e aspekteve të ndryshme të ushtrimit të detyrës së gjyqtarëve, duke mbajtur parasysh standardet evropiane dhe garantimin e një shërbimi që jep të drejtën për qytetarët.
Në fjalën e tij përpara anëtarëve të KLD-së Presidenti Topi është shprehur:
"E konsideroj të rëndësishme që të hap këtë mbledhje me një mesazh ndaj jush me të cilin kërkoj një përkushtim të plotë ndaj përgjegjësisë së pjesëmarrjes në këtë organ të rëndësisë së veçantë për shtetin e së drejtës. Këshilli i Lartë i Drejtësisë prej muajsh është në një aktivitet mjaft kompleks dhe intensiv në vijim të shumë vendimmarrjeve të rëndësishme kam rastin t’ju them që është momenti jo vetëm për t’u obliguar në një punë të kualifikuar, por është momenti i duhur dhe në funksion të implementimit të atij ligji shumë të rëndësishëm që është miratuar së fundmi në Parlamentin shqiptar, ligjin “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, për të cilin kërkohet që të ketë dhe ndërhyrje dhe plotësim me akte nënligjore në mjaft aspekte që ky ligj përcakton. Unë e mirëkuptoj ngarkesën dhe përgjegjësitë që vijnë nga puna e gjithësecilit, por e risjell në vëmendje domosdoshmërinë e pjesëmarrjes aktive në këtë organ me qëllim përmirësimin e realitetit gjyqësor.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka për detyrë mbrojtjen e gjyqtarëve, pa harruar që ai nuk është kurator për çdo pretendim të tyre. Ashtu sikurse ka autoritet kontrollues dhe disiplinor mbi ta, pa qenë ndëshkues për ato të meta dhe dobësi që ka vetë sistemi. Pra, roli i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është mjaft i rëndësishëm, është mjaft ekuilibrues në tërë sistemin. Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të japë një imazh realist në funksion të Kushtetutës, të ligjeve dhe të gjithë bazës funskionale që ka ky Këshill. Të mos krijohet ideja sikur KLD mbron pa arsye, por të mos krijohet edhe ideja tjetër që ky Këshill ndëshkon pa arsye. Kush më shumë se sa Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të ruajë një ekuilibër të plotë në këtë sens? Pra, që në tërë kuptimin e fjalës të jetë institucioni që personifikon jo vetëm qeverisjen e pushtetit gjyqësor, por të personifikojë edhe objektivitetin. Unë nuk kam pikë dyshimi që ky Këshill ka pasur këtë motivacion dhe përkushtim, këtë realizëm në vendimmarrjet e veta, dëshiroj që ta forcojë edhe në komunikim me publikun, sepse kemi thënë që një ndër aspektet më të rëndësishme të aktiviteteve të këtij Këshilli është transparenca, por në mënyrë të veçantë këtë transparencë duhet ta kemi me të gjithë juristët që janë në të gjitha strukturat e pushtetit gjyqësor dhe në të gjitha strukturat e tjera që janë në funksion të drejtëisë. Kjo presupozon që ky Këshill duhet të forcojë në mënyrë të dukshme seriozitetin, profesionalizmin, çka në vetvete kupton drejtësinë, objektivitetin.
Strategjia e punës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë duhet të ruajë me shumë rigorozitet respektimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe të qeverisjes së tij nga Këshilli brenda parametrave dhe standardeve që kërkohen edhe nga ato që ne kërkojmë të implementojmë në kuadrin e integrimit edhe të këtij sistemi në parametrat dhe standardet bashkëkohore. Kjo strategji e punës dhe ky motivim i punës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk vjen thjeshtë si nevojë e asaj çfarë unë thashë deri tani, por edhe si nevojë imediate e interesit të gjerë publik, reagimin dinjitoz dhe me standarde të pushteti gjyqësor ndaj shumë problematikave sociale dhe konflikteve civile. Me qëllim përfshirjen e autoritetit të sistemit të drejtësisë dhe të rritjes së besueshmërisë në publik mendojmë të shkojmë në dy linja kryesore: në monitorimin me seriozitet profesional ndaj vendimeve të marra nga ky Këshill, veprimtarive gjyqësore në inspektim, duke i dhënë në mënyrë absolute prioritet të vërtetës dhe jo favorizimeve ndaj individëve të caktuar. Kam rastin të komentoj këtu që pa prezumuar asgjë, por e kam shumë parimore këtë që po them, është e nevojshme që ky Këshill të zgjidhë vendimmarrjet e veta, të ketë debat, në fund fare ka vendimmarrje dhe në momentin që ka vendimmarrje ky Këshill duhet të operojë në mënyrë shumë të unifikuar përsa i përket vendimmarrjes. Pas vendimmarrjes mbrohen ngjyrat e institucionit, dhe kjo ka të bëjë pastaj me rritjen e parametrave të seriozitetit të këtij institucioni dhe me forcimin e këtij institucioni. Përfytyroni sa e dëmshme do të ishte që përtej këtij institucioni të vazhdonin influenca në strukturat e tjera të sistemit të drejtësisë për të favorizuar individë të veçantë, të cilët nuk kanë nevojë të favorizohen jashtë institucionit, por për këtë duhet të veprojë drejtësia, sikurse e ka Kushtetuta dhe ligji. Së dyti në vijimësi të krijimit të një kuadri të plotë nënligjor për rregullimin e aspekteve të ndryshme të ushtrimit të detyrës së gjyqtarëve, duhen mbajtur parasysh standardet evropiane dhe garantimi i një shërbimi që jep të drejtën për qytetarët. Këtij momenti i shërben dhe nisma e grupit të punës të ngritur në mbledhjen e mëparshme për të përgatitur një projektvendim mbi rregullimin nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të veprimtarisë akademike që evidentohet të ushtrohet nga gjyqtarët kohët e fundit. Ky projekt natyrisht hap edhe rendin e ditës. Për të qenë besnik për atë që kemi thënë gjithnjë për mediat, në përfundim të kësaj mbledhjeje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të keni edhe komunikimin e duhur për përfundimin e punës mbi bazën e axhendës, e cila është mjaft komplekse.
Faleminderit!"



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj