24 ore lajme: Ftoj qytetaret ne Marshimin e Heshtur te Premten,ora 17.30.Mos jemi bashkefajtor ne krimin qeveritar Ftoj qytetaret ne Marshimin e Heshtur te Premten,ora 17.30.Mos jemi bashkefajtor ne krimin qeveritar ================================================================================ Edi Rama on 19 March, 2008 03:42:00 Jam përpara jush, për të shprehur indinjatën e miliona shqiptareve e shqiptarëve, për sjelljen imorale të Kryeministrit të vendit tonë pas një tragjedie që ndodhi, jo për shkak të Zotit, po për shkak të papërgjeshmërisë poliike, paaftësisë qeverisëse dhe, siç po del në dritë nga ora në orë për shkak të një korrupsioni të pallogaritshëm. Falë shqyrtimit të fakteve të dokumentuara e të bëra publike përmes burimesh të pavarura të informimit publik, shqiptarët mësuan se kryeministri na ka gënjyer të paktën tri herë në tri ditë. Kryeministri na tha se Ministria e Mbrojtjes kishte për detyrë vetëm transportin dhe na gënjeu. Na tha se në atë punishte nuk punonin gra e fëmijë dhe na gënjeu. Na tha se ai s’ka pasur asnjë dijeni për këtë punë dhe përsëri na gënjeu. Qoftë edhe njëra nga këto gënjeshtra, do të mjaftonte që kryeministri i një vendi që pret ftesën e anëtarësimit në NATO, të dorëhiqej, e jo më i gjithë ky skandal që tronditi botën e që po e mbulon dita-ditës Shqipërinë me blozën e një vullkani korruptiv, në sytë e të tërë partnerëve tanë ndërkombëtarë. Unë s’kam dashur e s’dua për asnjë çast e arsye të flas në këto ditë kaq dramatike për vendin e kombin tonë si kryetari i një partie që sot është në opozitë me qeverinë, por kam folur e do të vazhdoj të flas si një qytetar që ka mundësinë e përgjegjësinë të shprehë nga një tribunë e lartë ndjenjat e shqetësimet e milionave si unë, të cilët nuk e kanë as këtë mundësi e as këtë përgjegjësi përballë një qeverie të papërgjegjshme, të paaftë e të korruptuar deri në palcë që na e ka kthyer atdheun tonë e të fëmijëve tanë në një fushë të minuar me rreziqe për jetën. Pikërisht si njëri ndër ju, qytetar i këtij vendi ku jeta është e kërcënuar vijimësisht e ku qeveria është kthyer në një agjenci funeralesh vetëm e vetëm për shkak të papërgjegjshmërisë, paaftësisë dhe korrupsionit që e ka mbërthyer për fyti; ju ftoj të mbrojmë së bashku jetën. Duke e konsideruar dorëheqjen e këtij kryeministri, si të drejtën tonë, për të jetuar të sigurt në atdheun tonë. Si qytetarë të këtij vendi ku jetohet pa siguri e vdiset në punë, në rrugë, në festë për shkak të mungesës së çdo standardi minimal të sigurisë së jetës dhe ku qeveria ka bombarduar së fundi popullsinë civile me papërgjegjshmërinë, paaftësinë e korrupsionin e saj, duke vrarë dhjetra burra, gra e fëmijë, duke zhdukur e plagosur qindra të tjerë, duke rrafshuar mbi 300 shtëpi e dëmtuar mbi njëmijë banesa dhe duke minuar një zonë të tërë pranë aeroportit e kryeqytetit; Si qytetarë të këtij vendi ku pushteti vret e kryeministri gënjen për të fshehur një skandal të pashoq të papërgjegshmërisë, paaftësisë e korrupsionit që e ka kalbëzuar krejt qeverinë e tij e atë vetë përmes shpërdorimit më skandaloz të votës së popullit; Në emër të dinjitetit tonë njerëzor e kombëtar unë i ftoj të gjithë, pavarësisht bindjeve politike e përkatësive partiake, në një ecje të heshtur përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit, për të dëshmuar se ata dhjetëra mijëra burra, gra e fëmijë që kanë ndërruar jetë në këto 17 vjet në punë, në rrugë, në festë na kanë mësuar më në fund diçka pas shpërthimit apokaliptik të Gërdecit; Të ecim së bashku në homazh të kësaj tragjedie për të treguar se ne nuk jemi skllevër të heshtur që mund të na hedhin në erë ata që na kanë marrë votën për të na garantuar jetën, familjen, pronën, atdheun, po njerëz të lirë që s’mund ta pranojmë kurrë kokulur për kryeministër një zotëri që sot ka paturpësinë të ngrejë edhe zërin kundër burimeve të pavarura të informimit të publikut e atyre qindra vajzave e djemve që po na bëjnë këto ditë shërbimin e çmuar të pasqyrimit e zbardhjes të së vërtetës, gazetarë e kameramanë kurajozë, profesionistë e amatorë, të cilët s’duan të vdesin si skllevër të gënjeshtrave të pushtetit; Të ecim së bashku si prindër që dimë t’i mbrojmë fëmijët tanë, familjet e atdheun tonë, duke shprehur me krenari qytetare, jo vetëm hidhërimin, po edhe indinjatën për jetën e humbur të bashkëmoshatarëve të kalamajve tanë të shfrytëzuar kafshërisht në të zezë e të vrarë barbarisht nga një bombë e kurdisur me vendimin e papërgjegjshëm të qeverisë sonë të paaftë e me bekimin e kryeministrit tonë të korruptuar; Të ecim së bashku si burra e gra që nuk e ulin kokën duke u bërë bashkëfajtorë të heshtur me ata që provokuan shpërthimin shurdhues e vrastar. Ecja e heshtur ku unë dëshiroj të marr pjesë si qytetar, me të tjerë bashkëqytetare e bashkëqytetarë, përtej çdo kufiri partiak e larg çdo synimi politik, po organizohet së bashku me qytetare e qytetarë të Tiranës, për të premten pasdite në orën 17.30, pa asnjë fjalim e asnjë flamur partiak dhe është një homazh që ne u’a bëjmë fatkeqëve të Gradecit duke treguar se kjo çudi nuk mund, nuk duhet e nuk do të zgjasë tre ditë!