24 ore lajme: Edi Rama: Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes jane pergjegjesit e drejtperdrejte te tragjedise Edi Rama: Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes jane pergjegjesit e drejtperdrejte te tragjedise ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 17 March, 2008 03:31:00 Ne nje deklarate pewr opinionin kryetari i Partise Socialiste Edi Rama, ne lidhje me tragjedine tha: " Gjëja më e lehtë do të ishte që, qysh sekondën e parë pas shpërthimit, unë të tregoja me gisht Kryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes si përgjegjës të drejtëpërdrejtë për shpërthimin që tronditi botën duke marrë jetë të pafajshme burrash, grash e fëmijësh, duke shkatërruar familje e prona, duke vrarë ëndrra e shpresa, jo vetëm mes fatkeqëve të Gërdecit, po edhe mes të gjithëve ne, shqiptarëve, të kthyer befasisht vite të tëra mbrapsht. Por, hapja në mes të mortit të madh e një procesi politik të rradhës për katastrofën e rradhës, ndërkohë që ende kufomat janë rrugëve dhe djem nënash të veshur policë e ushtarë janë ende duke nxjerrë të vdekurit prej kraterit që hapi papërgjegjshmëria ekstreme e një qeverie të paaftë e të korruptuar deri në palcë, do të ishte vijimi i traditës së shëmtuar të politikës së vjetër, e cila gjithnjë ka bërë rolin e hienës, duke shfrytëzuar me epsh shtazarak fatkeqësitë, vdekjet, mbytjet e përmbytjet, për të nxjerrë përfitimin mjeran politik të rradhës, pa lejuar që e vërteta të zbardhet deri në fund, llogaritë të bëhen deri në fund, përgjegjësitë të dalin deri në fund. Për shkak të kësaj politike të vjetër që nuk është udhëhequr kurrë nga drita e arsyes, po vetëm nga instikti i luftës, nuk është prirur kurrë drejt ndërtimit të shtetit po vetëm drejt marrjes së pushtetit, nuk është menduar kurrë për shkaqet përpara se të flasë po vetëm ka vënë ulërimën pa pyetur për pasojat, ne jemi sërish dëshmitarë të një tragjedie që askush nuk e imagjinonte. Për shkak të kësaj politike të vjetër që për 17 vjet rresht e ka kthyer papërgjegjshmërinë në instrument suksesi aty ku gjithkush do të dështonte në cdo shoqëri demokratike dhe mënyrë mbijetese politike atëherë ku gjithkush do të largohej nga skena në cdo vend normal demokratik, ne sot mund të bëjmë një bilanc lufte në të vdekur e të plagosur gjatë këtyre 17 vjetëve, po zor se mund të numërojmë qoftë edhe një politikan që ka marrë apo mbajtur përgjegjësi për dhjetramijëra burra, gra e fëmijë, të cilëve Shqipëria demokratike e proceseve të integrimit në BE e në NATO u ka fikur jetën apo u ka marrë nënën, babanë, motrën, vëllanë, vajzën e djalin, shtëpinë e katandinë, pronën e ardhmërinë, nëpër fatkeqësi jonatyrore e për shkaqe që nuk lidhen me Zotin po me pasigurinë e kudondodhur në këtë vend pa shtet. Për shkak të kësaj politike të vjetër që për 17 vjet rresht s'ka ditur të garantojë jetën e pronën, s'ka dashur të dallojë të moralshmen nga imoraliteti, s'ka mundur të ndajë papërgjegjshmërinë e paaftësinë nga detyrimet kushtetuese e meritat reale, duke e kthyer këtë vend në një tokë të minuar me padrejtësi e korrupsion, ne sot s'arrijmë të numërojmë dot më viktimat e vdekura e të gjalla të këtyre minave sociale që plasin cdo ditë nëpër Shqipëri, të cilat kjo qeveri e papërgjegjshme, e paaftë, e korruptuar si asnjë tjetër më parë, që është kthyer në një agjenci funeralesh e shpërblimesh për familje të vdekurish në punë, në rrugë, në festë, ka pafytyrësinë t'i vrasë për së dyti me justifikime në vend të dorëheqjeve, me gënjeshtra në vend të transparencës, me përpjekjen e rradhë për të mbijetuar politikisht në vend të detyrimit për t'u përgjigjur ligjërisht. Ne, opozita e sotme e Shqipërisë nuk bëmë atë që opozita e deridjeshme ka bërë në këtë vend me ulërima, akuza e shpifje sa herë që hija e viktimave të pafajshme ka rënduar kuptimplotë mbi supet e qeverisë. Ne nuk shtuam konfuzionin e panikun me krismat e politikës së vjetër në orët e një tmerri që kërkonte gjakftohtësinë e përqëndrimin ektrem të të gjithë atyre mjekëve, policëve e ushtarëve në një fushë të vërtetë lufte. Ne i dhamë dorën e solidaritetit e të bashkëpunimit qeverisë së vendit për të krijuar kohezionin e domosdoshëm politik në orët e një emergjence që mund të dilte jashtë kontrollit në rast se politika do të merrej me veten e jo me të vdekurit e me të mbijetuarit. Por, për fat të keq, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes, përgjegjësit e drejtëpërdrejtë të kësaj katrahure që jehoi në cdo cep të globit, na dhanë këto 48 orë një shfaqje të shëmtuar shfajësimi përmes justifikimesh që fyen inteligjencën e cdo shqiptareje dhe shqiptari, madje duke abuzuar edhe me vetëpërmbajtjen e medias, e cila tregoi gjatë orëve të jashtëzakonshme një përgjegjshmëri solemne që duhet të na mbushë të gjithëve me krenari për nivelin e saj të rritur ndjeshëm të sensit qytetar e profesional. Të gjithë ne, së bashku me shqiptaret e shqiptarët kudo që u ndodhën, ashtu si padyshim edhe të gjitha viktimat e kësaj tragjedie të pashembullt, ata që humbën jetën e ata që mbijetuan, meritonim shumë më tepër respekt nga ana e këtyre dy njerëzve, Kryeministrit e Ministrit të Mbrojtjes së vendit tonë, të cilët, fatkeqësisht, morën përsipër misionin e pamundur të shfajësimit të vetvetes, duke e trajtuar këtë barbari shtetërore thuajse si një fatkeqësi natyrore, ndërkohë që u takonte të qëndronin në detyrë vetëm e vetëm për të shmangur konfuzionin e mëtejshëm që mund të shkaktonin dorëheqjet e tyre të pashmangshme, sipas standarteve morale të cdo vendi të NATO-s e të Bashkimit Europian, ku, mos e dhëntë kurrë Zoti, për shkak të një vendimi qeverie do të ishte bombarduar një zonë e banuar m'u pranë aeroportit ndërkombëtar dhe kryeqytetit të vendit, do të kishin vdekur e ishin tretur a plagosur tërë këta qindra njerëz, do të ishin shkatërruar tërësisht mbi treqind shtëpi e shpërngulur po kaq familje, do të ishin dëmtuar mbi njëmijë banesa e do të ishte minuar një territor i tërë duke e bërë të pamundur kthimin e njerëzve në shtëpitë e tyre për së paku një vit. Që e vërteta të zbardhet deri në fund, që llogaritë të bëhen deri në fund, që përgjegjësitë të dalin deri në fund, që kjo tragjedi e pashembullt të bëhet pika e një kthese historike pas 17 vjet pësimesh të pakthyera në mësime dhe që politika shqiptare të mos bëjë politikë me vdekjen, duke u bërë përsëri varrmihëse e së vërtetës, unë i kërkoj Kryeministrit e Ministrit të Mbrojtjes të ndalojnë cdo deklaratë shfajësuese, të përfundojnë një orë e më parë fazën e emergjencës, duke garantuar plotësisht përcjelljen e trupave pa jetë në banesën e fundit si edhe asistencën logjistike e financiare të familjeve që kanë humbur shtëpitë, dhe pastaj të vënë menjëherë në dispozicion të Presidentit të Republikës dorëheqjen nga detyra. Dhe së dyti i kërkoj Ministrisë së Mbrojtjes të verë urgjentisht në dispozicion të të gjitha mediave dhe të opozitës të gjithë dokumentacionin që lidhet me të ashtuquajturën "fabrikë" të Gërdecit. Në emër të atyre që humbën jetën 48 orë më parë dhe të të gjithë atyre jetëve të humbura vit pas viti në fatkeqësi jonatyrore, për shkak të një shteti që prej 17 vjetësh nuk garanton sigurinë e jetës, unë, Partia Socialiste, e gjithë opozita shqiptare, së bashku me miliona shqiptarët e indinjuar nga kjo katrahurë, nuk do të lejojmë që kjo tragjedi të kalojë sic kanë kaluar, falë sherrit e shamatasë boshe të politikës së vjetër, të gjitha të tjerat. Pa asnjë dyshim unë nuk e kam harruar për asnjë cast se shpërthimi vullkanik i Gradecit ka ndodhur në vigjiljen e Samitit të Bukureshtit nga ku presim frytin e një përpjekjeje shumëvjecare për anëtarësimin në NATO. Por, më lejoni të shpreh bindjen time, si qytetar i Europës dhe si kryetar i opozitës së këtij vendi që pret ftesën për në NATO, se kjo është një arsye më shumë që ne t'u tregojmë edhe partnerëve tanë se jemi të gatshëm të vendosim standarte morale e të marrim përgjegjësi politike dhe ligjore si anëtarë të denjë të familjes euroatlantike. Dorëheqja e Kryeministrit dhe e Ministrit të Mbrojtjes do të ishin një kontribut i cmuar për të marrë ftesën, e kundërta do të ishte krejt jashtë parafytyrimit të partnerëve tanë e do të trashte në ditët në vijim një zullum që ende nuk ka filluar të shfaqet në sytë e mbarë opinionit publik. Kjo cudi nuk do të zgjasë tre ditë!