24 ore lajme: Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu paraqiti doreheqjen Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu paraqiti doreheqjen ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 17 March, 2008 09:47:00 Sot në orën 15. 20, ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu komunikoi para gazetarëve të mediave deklaratën e mëposhtme: Me dhimbje të thellë, jo vetëm si Ministër i Mbrojtjes, por edhe si njeri e si prind, kam ndjekur çdo sekondë tragjedinë e Gërdecit. I dërrmuar nga dhimbja për atë që ka ndodhur, i trishtuar nga humbja e jetëve të pafajshme dhe me një solidaritet të plotë me ata që kanë humbur të afërmit dhe ata që ende ndodhen në kushte të rënda në spital, gjej këtë rast t’ju shpreh të gjithëve atyre që janë prekur nga kjo tragjedi, solidaritetin tim. Në kushtet e krijuara, si një politikan i përgjegjshëm dhe si një prind që e njeh mirë edhe personalisht dhimbjen për këtë që ka ndodhur, edhe pse i zhveshur nga çdo përgjegjësi personale, deklaroj se pak minuta më parë i kam kërkuar Kryeministrit të Shqipërisë, dorëheqjen time si Ministër i Mbrojtjes. Dorëheqja ime është një reflektim politik dhe moral i përgjegjshëm, edhe pse i marrë në kushtet e një mungese të plotë përgjegjësie ligjore dhe institucionale si Ministër. Me këtë ndjenjë përgjegjësie dhe në respekt të detyrimeve të mia institucionale dhe morale, deklaroj se do të mbështes fort hetimet e filluara nga organet kompetente për zbardhjen e aksidentit tragjik. Dua të falenderoj, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që prej 72 orësh gjenden në vendngjarje, duke punuar intensivisht për shmangien e pasojave të mëtejshme të aksidentit tragjik; Unë i kërkoj ndjesë çdo ushtari apo oficeri që nuk kam mundur të kontaktoj personalisht për t’i njohur, mbështetur dhe zgjidhur problemet e tyre. Falenderoj shqiptarët e Kosovës dhe qeverinë e tyre që ishin pranë nesh në këto momente të vështira; Falenderoj shqiptarët e Maqedonisë dhe partitë e tyre, si dhe qeverinë e Maqedonisë për mbështetjen dhe solidaritetin mbresëlënës; Falenderoj partnerët tanë euroatlantikë, që na janë gjendur pranë në këtë moment të vështirë dhe për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO. Në mënyrë të veçantë, falenderoj Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, i cili në çdo moment ka qenë në krye të operacionit dhe me të cilin kemi ndarë këto 72 orë, ndër më të vështirat e jetës sime dhe që në mënyrë të vazhdueshme dhe pa hezitim ka mbështetur të gjitha përpjekjet e Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Mbrojtjes drejt realizimit të qëllimit të tyre për të qenë pjesë e NATO-s. Shpreh vlerësimin tim pozitiv për qendrimin dhe ragimin realist të opozitës në lidhje me këtë ngjarje dhe inkurajoj çdo përpjekje të saj për të stabilizuar dhe qetësuar situatën. E falenderoj atë për mbështetjen pa hezitim që më kanë dhënë mua si Ministër i Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura dhe i kërkoj asaj që të vazhdojnë me këtë mbështetje. Falenderoj median, e cila ka qenë pranë përpjekjeve të Forcave të Armatosura në përballimin e kësaj situate. Falenderoj miqtë dhe mbështetëtsit që qëndruan pranë meje në këto ditë të vështira dhe ju jam mirënjohës për të. Falenderoj familjen time, e cila më ka mbështetur vazhdimisht dhe më ka inkurajuar në agazhimin tim si Ministër në shërbim të interesave të të gjithë shqiptarëve dhe e kanë mirëkuptuar këtë angazhim edhe pse ju është dashur të sakrifikojnë për këtë gjë.