24 ore lajme: lir Meta: Faji bie mbi qeverinë "Berisha" lir Meta: Faji bie mbi qeverinë "Berisha" ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 17 March, 2008 10:05:00 "Nuk duhet ta fshehim kokën si struci, pasi përgjegjësia kryesore i takon qeverisë, i takon Kryeministrit Berisha". Kjo ishte deklarata e djeshme e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Sipas ish-kryeministrit duket qartë edhe nga informimi që kanë edhe mediat se Kryeministri ka qenë në dijeni të një vendimi për të realizuar këtë lloj aktiviteti pikërisht në një zonë shumë të koncentruar me banorë. "Kështu unë mendoj se këtu duhet të fillojë përgjegjësia kryesore dhe i takon atij që të ketë përgjegjshmëri të paktën në këtë rast", theksoi Meta. Ish-kryeministri shton se kjo është një tragjedi që të gjithë duhet të reflektojnë, të nxjerrin përgjegjësitë edhe të të tjerëve, por përgjegjësitë kryesore Berisha duhet t‘i marrë vetë. Ai kërkoi nga qeveria që të rrisë shkallën e transparencës për atë që ka ndodhur dhe në radhë të parë pasojat e saj njerëzore. "Pasojat e dëmeve materiale janë shumë të mëdha, njerëzit kanë humbur pronat e tyre, që në pjesën më të madhe janë të pariparueshme, që do të thotë se këto familje me të ardhurat e tyre nuk kanë mundësi t‘i riparojnë këto dëme", nënvizoi Meta. Ndaj qeveria, shtoi ai, përveç shpejtësisë për të pasur realisht nën kontroll situatën, sepse nuk kemi ende një bilanc të qartë për numrin e viktimave, numrin e të humburve dhe për shkallën e dëmtimit të këtyre shtëpive, ajo duhet të rakordojë një projekt të veçantë për riparimin dhe kompensimin e këtyre familjeve. Kreu i LSI-së, këmbënguli se qeveria duhet të kërkojë edhe një ndihmë ndërkombëtare për këtë tragjedi në radhë të parë nga OKB-ja, Bashkimi Evropian dhe të gjitha vendet e tjera. Kryetari i LSI-së ka përshëndetur në mënyrë të veçantë përkushtimin dhe pasqyrimin korrekt të mediave nga vendngjarja, duke krijuar një transparencë që i mungoi qeverisë shqiptare për të gjithë atë tragjedi që përfshiu dje popullin shqiptar. Pas vizitës në Spitalin Ushtarak, Meta, së bashku me drejtuesit e tjerë të LSI-së, ka shkuar në fshatin Gërdec, në vendngjarje, ku ka vizituar banorë të këtij fshati, të afërm dhe familjarë të njerëzve të humbur, si dhe Forcat e Armatosura në detyrë.