24 ore lajme: Te pakten pese te vdekur dhe mbi dyqind te plagosur ne shperthimin tek fabrika e cmontimit te armatimit ne Gerdec te Tiranes Te pakten pese te vdekur dhe mbi dyqind te plagosur ne shperthimin tek fabrika e cmontimit te armatimit ne Gerdec te Tiranes ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 14 March, 2008 09:12:00 Të paktën pesë persona janë vrarë dhe rreth 200 janë plagosur në një varg shpërthimesh në një fabrikë për çmontimin e armatimeve në fshatin Gërdec të Tiranës. Shpërthimet që ndodhën të shtunën gjatë mesditës, shkaktuan të plagosur dhe dëme në një zonë të gjerë, dhe u dëgjuan më shumë se 170km larg në kryeqytetin maqedonas, Shkup.Kryeministri Sali Berisha tha se 142 persona ishin në spital - 12 prej të cilëve në gjendje serioze. "Ky është një bilanc i hidhur," tha kryeministri Berisha. Ai nuk e përjashtoi mundësinë e rritjes se numrit të viktimave. "Nuk është numri përfundimtar i viktimave," tha zoti Berisha para gazetarëve. Viktimat Rreth 4,000 persona janë evakuar nga zona, ku edhe vonë në mbrëmje shihej zjarri i shkaktuar nga shpërthimi. Të plagosurit janë dërguar në spitalet e Durrësit dhe Tiranës. Këto i kanë bërë thirrje qytetarëve të dhurojnë gjak për të ndihmuar të plagosurit. Kanë vazhduar kërkimet për punëtorët që ishin në punë në momentet e shpërthimit. Punëtorët e shpërthimit kanë gjetur dhe shpëtuar 25 banorë që ishin fshehur në një bunker. Shumë banorë ishin fshehur në tunele, apo bunkerë nga frika e shpërthimeve të tjera. Janë ngritur dhe shtabet e emergjencës dhe punonjësit e xhenios, zjarrfikëset dhe ato të shëndetësisë kanë hyrë në fshat. Mjete të blinduara dhe forca speciale të ushtrisë u kanë shkuar në ndihmë banorëve. Nuk dihet ende shkaku i shpërthimit, po kryeministri Berisha tha se nuk përjashtohej gabimi njerëzor apo mund të ishte thjesht aksident. Mbështetje Presidenti Bamir Topi, ka kërkuar që t'u krijohen mundësitë e duhura dhe qetësia e nevojshme punonjësve të shëndetësisë dhe policisë, për t'u ardhur në ndihmë të plagosurve. Solidaritet më të mbijetuarit ka shprehur dhe kryetari i opozitës Edi Rama, i cili shkoi pranë vendngjarjes dhe në spital. Ndërsa kryeministri Sali Berisha tha se qeveria do të bëjë gjithçka për t'u ardhur në ndihmë banorëve të rrezikuar. Zoti Berisha tha se kishte nisur një hetim për aksidentin, i cili ndodhi në një fabrikë të drejtuar nga një kompani amerikane për çmontimin e armatimeve. Shqipëria ka më shumë se 100,000 ton municion të periudhës komuniste- të përhapura në të gjithë vendin Zoti Berisha tha se do të gjenden rrugë të reja për të shkatërruar "sasinë kolosale" të tyre. "Municioni i rrezikshëm përbën problem madhor," tha zoti Berisha. Një numër vendesh të NATOs e kanë ndihmuar Shqipërinë të shkatërrojë municionin e tepërt e të vjetëruar. Tirana shpreson të marrë ftesë për të hyrë në aleancë në samitin e Bukureshtit, muajin e ardhshëm. Zoti Berisha i tha gazetarëve se nuk besonte se aksidenti i të shtunës do të ndikontë në vendimin që do të merrej. Asidente të ngjashme, tha ai, kishin ndodhur edhe në një numër vendesh të NATO-s. Vende të ndryshme si SHBA, Italia, Greqia, Maqedonia, Turqia dhe Kosova kanë ofruar ndihma mjekësore dhe të tjera pas shpërthimeve.