24 ore lajme: Rama: Kryeministri të angazhohet publikisht me fakte për mjedisin në kryeqytet Rama: Kryeministri të angazhohet publikisht me fakte për mjedisin në kryeqytet ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 13 March, 2008 07:58:00 Pas deklarimeve të Kryeministrit Sali Berisha lidhur me mjedisin në kryeqytet, Kryebashkiaku Edi Rama ka reaguar sot në një komunikim me mediat, duke kërkuar që qeveria të angazhohet me fakte dhe jo me batuta në shfaqjet televizive, për të përmbushur detyrimet e saj për mbrojtjen e mjedisit. Rama ka kërkuar që dosjen e propozimeve konkrete që i është vënë tashmë prej kohësh në dispozicion Kryeministrit e për të cilat ai ka rënë publikisht dakord, t’i kthejë në masa konkrete ligjore dhe administrative. Në këtë komunikim me mediat, Kryebashkiaku Rama u shpreh: “Nisur nga një deklarim sportiv i kryeministrit të Shqipërisë për të ndërtuar një kalendar bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës për çështjet e mjedisit në kryeqytet, dua të nënvizoj: Së pari, zoti Kryeministër duhet të shpjegojë publikisht pse nuk mbajti asnjë nga fjalët që u dha në nëntorin e shkuar kryebashkiakëve të opozitës, duke mbajtur peng procesin e decentralizimit dhe duke penguar përmirësimin cilësor të qeverisjes vendore. I bëj thirrje Kryeministrit të mos e zvarrisë më tutje dosjen e propozimeve konkrete që ka prej muajsh në tavolinë e për të cilat ka rënë publikisht dakord e t’i kthejë këto propozime në masa konkrete ligjore dhe administrative. Së dyti, zoti Kryeministër duhet të angazhohet publikisht me fakte, jo me batuta në shfaqjet televizive të qeverisë, që Qeveria e tij të përmbushë detyrimet e saj për mbrojtjen e mjedisit, jo vetëm në kryeqytet po në tërë territorin e Shqipërisë, nga njëra anë duke zbatuar legjislacionin në fuqi dhe nga ana tjetër duke ndërmarrë të gjitha ato nisma ligjore që duhet t’i mundësojnë pushtetit vendor rolin që i takon në shërbim të qytetarëve. I bëj thirrje Kryeministrit të mos e zvarrisë më tutje këtë proces, pasi qeveria e tij është përgjegjëse e drejtpërdrejtë për ajrin e ndotur nga makinat, për të cilat s’ka asnjë standard e asnjë rregullim ligjor të përshtatur me ambicien e anëtarësimit në BE, për rrugët e ndotura përditë nga makinat e rënda që lëshojnë baltën e betonin, pa u goditur ligjërisht as sa dhe as si duhet, për pikën e grumbullimit e të përpunimit të mbeturinave që duhet të spostohet nga Sharra jashtë zonave të banuara dhe duhet të kthehet në një landfield rajonal. Dhe së treti, zoti Kryeministër duhet të kuptojë se duke lëshuar thjesht batuta që tërheqin vëmendjen e gazetarëve, ai nuk zgjidh asnjë nga problemet që ka detyrim ligjor të zgjidhë për Tiranën dhe nuk mbulon dot asnjë nga plagët që qeveria e tij krejt e paaftë po thellon, në vend që të shërojë, duke bërë që sot shqiptarët të jenë më të papunë, më të varfër, më të pambështetur sesa ditën kur u dhanë votën qeveritarëve të sotëm. I bëj thirrje Kryeministrit të mos i zvarrisë më tutje shqiptaret e shqiptarët me gënjeshtra të reja për të mbuluar të vjetrat, por ta shfrytëzojë kohën që i ka mbetur në krye të qeverisë, së paku për të penguar degradimin e mëtejshëm të ekonomisë e të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë”.