24 ore lajme: Shqiperi: Qeveria nuk konfirmon rënie të avionit Shqiperi: Qeveria nuk konfirmon rënie të avionit ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 04 March, 2008 06:05:00 Autoritetet në Shqipëri nuk e konfirmojnë lajmin e rrëzimit të një mjeti fluturues brenda territorit shqiptar. Më herët, gjatë ditës ishte njoftuar se një avion i paidentifikuar kishte humbur kontaktet me operatorët shqiptarë dhe italianë në orët e para të mëngjesit, në zonën pranë kufirit shqiptar me Malin e Zi dhe Kosovën. Deri tani kërkimet në malin e Jezercës nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Sipas autoriteteve në Tiranë, pas informacioneve të marra nga forcat ajrore edhe të vendeve fqinj dhe KFOR-it, nuk rezulton asnjë mjet fluturues i ngritur që të ketë përshkruar zonën ajrore ku dyshohet të ketë humbur mjeti fluturues. Por autoritetet shqiptare njoftojnë se qendra rajonale e kontrollit të hapësirës ajrore në Romë ka raportuar një objekt fluturues në atë zonë, në orën 04. 25 të mëngjesit të ditës së martë. Operacioni i kërkimit nga ajri është ndërprerë për arsye të vështirësive të mëdha, njoftohet zyrtarisht në Tiranë, ndërkohë që vazhdon operacioni në rrugë tokësore.