24 ore lajme: Parlamenti voton Ligjin e Pergjimeve dhe shkarkon anetaret e ERT-se Parlamenti voton Ligjin e Pergjimeve dhe shkarkon anetaret e ERT-se ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 03 March, 2008 08:19:00 Kuvendi miratoi me 67 vota pro dhe 20 kundër, disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për përgjimin e telekomunikimeve. Ky propozim i qeverisë parashikon që përgjimet, për llogari të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme, nuk do të kryhen më nga SHISH-i, por nga një seksion i veçantë brenda këtij institucioni. Drafti propozon që proceset teknike të përgjimit të komunikimeve nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit do të realizohen deri më 1 mars 2008, nga prokurori ose oficeri i Policisë Gjyqësore, në sektorin e përgjimeve në SHISH. Ndërkohë, përfaqësues të qeverisë, duke mbrojtur këtë p/ligj janë shprehur se ai nuk ka ndryshime të mëdha nga ligji i vitit 2003. Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve (MPPTT), Sokol Olldashi ka sqaruar se ku konsistojnë tre momentet kryesore të ndryshimeve të propozuara. P/ligji nuk zgjeron gamën e institucioneve që kanë të drejtë të kërkojnë përgjime, duke ruajtur të njëjtin numër institucionesh që e kanë këtë të drejtë, sipas ligjit të vitit 2003. Drafti nuk prek në asnjë rrethanë procedurën se si kërkohet një përgjim telekomunikimesh dhe ruan të njëjtën procedurë që është e konsoliduar në praktikë nga ligji i vitit 2003. Gjithashtu, ai nuk prek asnjë nga garancitë ligjore, që siguron që përgjimet e telekomunikimeve të jenë në përputhje me ligjin dhe në mënyrë rigorozisht të kontrollueshme, sqaroi ministri i PPTT-së në parlament. Në të njëjtën linjë ishte dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili i cilësoi si spekullime kundërshtimet e opozitës për këtë draft. Ministria e Brendshme as bën përgjime dhe as kërkon të bëjë përgjime. Policia e Shtetit nuk kërkon të marrë asnjë lloj atributi të cilin ligjet e deritanishme nuk ia njohin. Çdo gjë është e mbështetur në ligjin e vitit 2003 për përgjimet dhe nuk kërkohet të shtohen atribute për këtë dikaster, por synohet vendosja e bërthamës përgjuese pranë Prokurorisë së Përgjithshme, sqaroi ministri Nishani