Faqja e Pare | Shqiperia | Ekspertët: Kartat e identitetit, dështim për zgjedhjet e 2009-ës

Ekspertët: Kartat e identitetit, dështim për zgjedhjet e 2009-ës

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

Projekti i kartave të identitetit vihet në dyshim se nuk mund të mbarojë brenda afatit për zgjedhjet e vitit 2009. Ky konstatim lëshohet nga ekspertët e firmave që kishin shfaqur interes për këtë tender, megjithatë ministri i Brendshëm ka deklaruar të kundërtën. Sipas ministrit Nishani, projekti në fjalë është parashikuar që ato të mbarojnë brenda afatit të caktuar, në mënyrë që shtetasit shqiptarë të votojnë me kartë identiteti gjatë zgjedhjeve të vitit 2009. Por, sipas parashikimeve të ekspertëve, kjo mund të jetë e mundur vetëm nëse tenderi fitohet nga një firmë, e cila ka infrastrukturën të gatshme për të realizuar projektin. Nga parashikimet, edhe nga ato të Ministrisë së Brendshme, shpallja e fituesit të tenderit të kartave të identitetit e pasaportave biometrike mund të realizohet nga fundi i muajit mars. Pas kësaj, lidhja e kontratës mes firmës fituese dhe organit kontraktues, që në këtë rast është Ministria e Brendshme, mund të mbyllet brenda muajit prill, pra rreth një muaj më vonë. Në muajin prill, firma fituese duhet të nisë punën për përgatitjen e infrastrukturës, që sipas kritereve specifike në dokumentacionin e tenderit, duhet të ndërtohen 390 qendra aplikimi në të gjithë Shqipërinë. Një qendër kryesore e database do të krijohet në Tiranë dhe veç kësaj do të krijohet edhe qendra rezervë. Madje, sipas dokumentacionit të tenderit të kartave të identitetit, ndërtimi i qendrës kryesore dhe i qendrave lokale të aplikimeve duhet të jenë sipas standardeve dhe kërkesave specifike që paraqet projekti. Nga vlerësimi i kërkesave të projektit prej ekspertëve të firmave të interesuara, periudha për ndërtimin e këtyre qendrave zgjat nga 5-6 muaj. "Kështu, një firmë që nuk ka ngritur infrastrukturën më parë dhe që do të fitojë tenderin, mund të fillojë me aplikimet për kartën e identitetit afërsisht në muajin shtator të këtij viti", shpjegojnë ekspertët. Me fjalë të tjera, mbeten nëntë muaj deri në mbërritjen e procesit zgjedhor që shqiptarët të pajisen me kartën e identitetit, ose e cilësuar ndryshe mbeten 200 ditë zyrtare pune. Sipas kontratës, një firmë është e detyruar të prodhojë deri në 15 mijë karta identiteti dhe tremijë pasaporta biometrike në një ditë. Nga përllogaritjet rezulton se deri në afatin e procesit zgjedhor, firma kontraktuese mund të prodhojë dy milionë e gjysmë karta identiteti me kapacitet të plotë. Sipas kontratës, firma duhet të prodhojë rreth 3.2 milionë karta në vitin e parë të kontratës, që është quajtur edhe viti i mbingarkesës. Pra, si afat të përcaktuar, firmës fituese nuk i mjafton koha për të përfunduar këtë projekt para zgjedhjeve të vitit 2009. Veç kësaj, deri më tani, asnjë qytetar nuk është i detyruar të pajiset me një kartë identiteti. Sipas konfirmimeve nuk ka ende një ligj që i detyron ata të pajisen me këtë kartë identiteti. Por, për këtë problem, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka deklaruar se kjo do të rregullohet me akte nënligjore, duke "detyruar" shqiptarët të pajisen me një kartë të tillë, e cila do të jetë identifikuese për ta në shumë organe shtetërore. Madje, Nishani është shprehur i sigurt se në projektin e këtij tenderi janë parashikuar të gjitha elementet që kartat të mbarojnë para procesit zgjedhor dhe siguron se kjo do të realizohet dhe është marrë parasysh edhe nga firmat që kanë dhënë ofertat e tyre pranë Ministrisë së Brendshme për tenderin e lartpërmendur. Momentalisht, nga firmat që kanë paraqitur oferta, njëra prej tyre e ka pothuajse të gatshme infrastrukturën, pavarësisht se në Shqipëri ka pasur një përvojë jo të këndshme me një tender tjetër pasaportash.

Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Maj, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Vlereso artikullin
5.00