Faqja e Pare | Shqiperia | Kushtetuesja, përgjigje ndaj pushtetit despotik

Kushtetuesja, përgjigje ndaj pushtetit despotik

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image

Ish-zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm analizon rrëzimin nga Gjykata Kushtetuese të Paktit detar me Greqinë


Ish-zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, Armand Vinçani, e komentoi historik dhe një mësim të mirë për pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe vetë partitë politike vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar paktin detar nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke në prill 2009.


Në një intervistë për gazetën "Shekulli" Vinçani përshëndeti vendimin e gjykatës si dhe u shpreh se nuk besonte te ndonjë acarim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat nuk mund të varen nga marrëveshje të tilla, që bien ndesh me interesat dhe dëshirat e popullit shqiptar


Ditët e fundit opinioni publik u njoh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me marrëveshjen e delimitimit të hapësirës detare midis Shqipërisë dhe Greqisë. Cili është mendimi juaj lidhur me vendimin e saj për ta shpallur atë antikushtetuese kur kemi parasysh edhe oponencën tuaj të përcjellë gjerësisht nga mediat në Shqipëri?


Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte konkluzioni logjik i të gjitha diskutimeve, analizave, shqyrtimit të detajuar të fakteve, studimit të eksperiencave të shumta të huaja me premisa të ngjashme që u ndërmoren nga mediat, historianë, politikanë, ushtarakë, juristë dhe ekspertë të fushave të ndryshme e të mbështetur gjerësisht nga opinioni publik.


Iniciativa e PS-se e kanalizoi të gjithë superstrukturën e këtij debati masiv gjykimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Realisht vendimi i saj vetëm u formalizua para disa ditësh sepse në fakt vendimi ishte i qartë që pas përfundimit të seancës së degjimit në fund të vitit të shkuar.


Vendimi unanim i asaj gjykate flet shumë më tepër se çdo koment tjetër. Unanimiteti ishte rrjedhojë absolute e faktit tashmë të pakundërshtueshëm se qeveria shqiptare nuk kishte negociuar de facto asnjë marrëveshje, kishte qenë tërësisht e papërgatitur dhe delimitimi i arritur nuk shprehte një ndarje të barabartë të hapësirës detare midis dy vendeve.


Faktet e shumta të përçuara nga një pjesë e mediave shqiptare nxorën në pah se ndërsa interesimi për të mbyllur në një kohë rekord një marrëveshje të tillë, që për shume vende të tjera ka marrë vite e diskutime të shumta, ishte në maksimum interesi për të patur një marrëveshje tërësisht të besueshme ishte lënë në mëshirën e fatit.


Papërgjegjshmëria filloi me mosmarrjen e autoritetit sipas detyrimeve kushtetuese dhe përfundoi me mungesën e testit të marrëveshjes për të provuar rezultatin e saj. Ky segment kohor u karakterizua nga mungesa e plotë e transparencës e cila ishte një tregues më shumë pse qeveria i shmangej së vërtetës.


Prandaj vendimi i gjykatës kushtetuese është i një rëndësie shumëplanëshe dhe historia do ta vulosë atë me cilësitë e një precedenti që do t'i shërbejë në vite demokracisë së brishtë të vendit tonë.


Cilat janë dimensionet shumëpalëshe të rëndësisë së ketij vendimi? A i shikoni ato të lidhura vetëm me gjykimin e marrëveshjes në fjalë apo shikoni brenda tij një apel që i bën jehonë dhe zgjeron filozofinë e qeverisjes në një shtet demokratik?


Së pari, vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me marrëveshjen detare pasi i kthen legjitimitetin vendit tonë në zotërimin e kontrollimin e atyre hapësirave detare që i ka pasur në shekuj dhe që respektohen sot nga parimet e nenet e Konventës së Detit si dhe trajtimet e Ligjit Ndërkombëtar dhe dhjetëra e dhjetëra vendime të gjykatave të arbitrazhit që u japin përgjigje ekzakte situatave të ngjashme gjeografike e topogjeodezike me ato të vendit tonë.


Në anën tjetër, vendimi i asaj gjykate është historik për faktin se edukon qeverinë, partitë politike dhe opinionin publik me rolin e Gjykatës Kushtetuese në një sistem demokratik që rrjedh nga autoriteti për të zhvleftësuar veprimet e legjislativit dhe ekzekutivit kur ajo i gjykon ato në kundërshtim me kushtetutën.


Pa këtë autoritet dhe paanshmëri nuk mund të ketë kurrë një kushtetutë të "gjallë" por do të kemi premisat e kthimit të pushtetit në një regjim despotik që do të synojë të okupojë e sundojë organet ligjëvënëse dhe ato të sistemit të gjykatave sic ka ndodhur shpesh në Shqipëri.


Prandaj vendimi i Gjykatës Kushtetuese është ndërkohë edhe një shenjë e mirë e nxitje e kuptimit dhe besimit të njerëzve për domosdoshmërinë jetike të funksionimit të tre pushteve, kontrollit e balancimit reciprok të tyre që i jep frymëmarrjen e duhur gjithë sistemit demokratik.


Po ashtu rasti në fjalë është edhe një leksion i mirë për domosdoshmërinë dhe rëndësinë e funksionimit të mediave të pavarura të cilat bëhen mbrojtëse e interesave jetike të shoqërisë dhe me kurajo i kundërvihen pragmatizmit shpesh here të paskrupullt të pushtetit.


A mendoni se shpallja e pavlefshme e marrëvëshjes së arritur muaj më parë e të nënshkruar nga të dy qeveritë mund të krijojë ngërçe në marrëdhëniet midis dy vendeve kur dihet se përkrahja e vendit fqinj është e rëndësishme për integrimin aq të dëshirueshëm të vendit tonë?


Une besoj se pyetja juaj merr shkas edhe nga disa komente të dëgjuara ditët e fundit nga të dy palët dhe të pasqyruara në shtyp. Sigurisht, gjërat duhen parë e thënë ashtu siç janë. Në rrafshin politik të marrëdhënieve dypalëshe stopimi i marrëveshjes nuk mund të jetë pozitiv sepse dëmton imazhin e qeverive përkatëse e hedh hije dyshimi në aftësitë e tyre për realizuar marrëveshje bilaterale të qëndrueshme.


Në këtë mes, faji kryesor është i qeverisë shqiptare që nuk ishte në gjendje të negocionte për marrëveshjen por pranoi draftin e saj të përgatitur nga pala tjetër. Në seancën dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese ekipi i ngarkuar për të negociuar për qeverinë shqiptare nuk ishte në gjendje të paraqiste asnjë dokumentacion apo protokoll që të demonstronte të kundërtën. Pati tendencë për ta justifikuar këtë paaftësi me natyrën sekrete të bisedimeve.


Në mënyrë të përsëritur është thënë e provuar se në marrëveshje të tilla nuk ka e nuk mund të ketë asnjë sekret për sa kohë ato kryhen mbi bazën e ligjeve e konventave ndërkombëtare të pranuara e ku aderojnë të dy palet.


Nuk ka marrëveshje delimitimi sot, të realizuara apo akoma të pakonkluduara, për të cilat nuk mund të gjesh protokollet dhe qëndrimet reciproke në detaje, mot-à-mot, të vëna në dispozicion të publikut. Ato gjenden lehtësisht në biblioteka dhe shumica e tyre është e gjetshme në faqet e internetit.


Ajo çka do ta detyronte vërtet qeverinë tonë të mbante sekret pjesë të "protokollit" do të ishin lëshimet e vullnetshme për hir të konjiukturave të momentit e që nëse do të ishte kështu ato do të duhej të ishin objekt edhe të një gjykimi tjetër. Nëse kjo e fundit nuk ekziston dhe kjo është dëshira e çdo shqiptari, pala tjetër nuk mund të mbajë asnjë përgjegjësi për paaftësinë e palës tonë e cila duhet të ketë kurajon e kërkimit të ndjesës për mosseriozitetin e saj.


A mundet që shteti fqinj të krijojë pengesa serioze për vendin tonë në të ardhmen? Kurrë nuk do ta besoja këtë dhe e them plotësisht i bindur sepse nuk mund të harroj që demokracia lindi për herë të parë në Athine, që në vitet 500 përpara Krishtit.


Nuk mund të harroj gjithashtu një fakt mjaft kuptimplotë se ndryshimi midis demokracisë së Athinës dhe demokracive të mëvonshme ishte se versioni athinian karakterizohej nga përfaqësimi direkt dhe jo nga përfaqësimi i të zgjedhurve.


Kjo do të thoshte se ata nuk votonin për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre por ata votonin pothuaj çdo ligj apo politike që qyteti do të adaptonte.


Kështu ata janë më mirë në gjendje se kushdo tjetër të kuptojnë sensin e mirë e pa paragjykime të gjithë debatit të zhvilluar në terrenin shqiptar për paktin detar midis dy vendeve.


Edhe nëse ka ndonjë deklaratë apo prononcim të nxituar nga shteti fqinj ato janë thjesht impresione të momentit që do të shuhen nën vërtetësinë e fakteve, gjykimit dhe arsyes së shëndoshë.


Si e vlerësoni deklarimin së fundi të zv.kryeministrit shqiptar që e cilëson vendimin e gjykates për anullimin e marrëveshjes si rezultat i instrumentalizimit nga ekstremistët shqiptarë që lobuan kundër saj?

Unë nuk do të dëshiroja që ju t'i kushtoni vëmendje deklarimeve të tilla. Në të gjitha prononcimet e tij të deri më tanishme është për të ardhur keq konstatimi lehtësisht i mungesës së aftesisë intelektuale për të kryer atë detyrë e aq më tepër atë të drejtuesit të dikasterit të jashtëm.


Kjo është ironia e kohës që jetojnë shqiptarët sot. Vetë fjalët "ekstremizëm" dhe "ekstremist" janë fjalë të huaja dhe para se ti përdorësh duhet të dish kuptimin e tyre. Shqipëria asnjëherë nuk është shquar për ndonjë lloj ekstremizmi apo radikalizmi mbi baza nacionaliste apo fetare.


Përkundrazi, jemi shquar për frymën e mirëkuptimit dhe të paktën është një ndër fushat ku jemi sjellë si shembull progresiv për kombet e tjera. Megjithatë, ministri i Jashtëm shqiptar akuzon bashkëkombasit e tij për të tillë.


Ky kaposh pa pendë akuzon në mënyrë të drejtpërdrejtë nëntë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese si të manipuluar nga ekstremistët. A mund të ketë shtet tjetër ku në një rast të ngjashëm dita e nesërme do ta gjente atë person në po atë karrige ku është ulur në saje të mashtrimit elektoral?


Cdo gjë është e zezë mbi të bardhë. Lexoni analizat, studimet, shkrimet e prononcimet e ndryshme të P. Xhufit, S.Brokaj, S.Godo, A.Puto, V.Llakaj, A.Moisiu, M.Pashaj, V.Bejën, B.Bakiu, T.Blushi, A. Alibali, V. Trebicka e dhjetëra të tjerëve; a mund të gjeni në to qoftë edhe një shprehje të vetme, qofte edhe një sentiment të vetëm, qofte edhe një konkluzion të vetëm të frymëzuar nga ndjenja iracionale, dekonstruktive apo ekstremizmi të çdo lloji qoftë?


Sigurisht rezultati 9:0 është shumë i thellë por analiza e këtij rezultati nuk duhet t'i gjejë shkaqet tek "spektatorët" në fushë, as dhe tek "arbitri" kushtetutë por tek ekipi dhe "traineri" i skuadrës së qeverisë që u fut në lojë me qëllimin as për të fituar e as për të barazuar! Në anën tjetër nëse ka ekstremizëm sot në Shqipëri, zotëria në fjalë duhet ta kërkojë gjetkë.


Ai duhet ta kërkojë në radhë të parë në pelivanllëqet e pamoralshme të tij, në lëvizjet nga njëri ekstrem tek tjetri, nga mashtrimet e elektoratit dhe nga mohimi sot i atyre që ka thënë dje.


Ai duhet ta kërkojë tek veprimet e tij të dhunshme të djeshme në sallën e parlamentit, tek ushtrimi i forcës fizike, tek hypja majë karrigeve e tavolinave e deri tek dhunimi i opozitës në kohën kur ai drejtonte qeverinë.


Ai duhet ta kërkojë atë tek dhunimi i zgjedhjeve që pati rastin të organizonte në atë kohë. Si zëdhënës i sotëm i qeverisë ai e di fare mire se është ndër faktoret kryesorë të krizës politike të vendit.


Si e mendoni perspektivën e një marrëveshjeje të ardhshme të delimitimit? Ka zëra që qeveria por përgatitet të negociojë një marrëveshje të "re",por në mënyrë identike me të parën..


Unë nuk mund të paragjykoj asgjë. Hartimi i një marrëveshjeje të re do të varet tërësisht nga vullneti i të dy palëve. Por nëse qeveria shqiptare do të luajë në prapaskenë dhe do të tentojë përsëri marrëveshjen e vjetër kjo do të provonte se ajo s'ka nxjerrë asnjë mësim nga dështimi që i faturohet vetëm asaj. Një gjë e tillë do e vinte qeverinë shqiptare tërësisht në kundërshtim me interesat jetike të kombit tonë.


E vetmja rrugë për të patur një marrëveshje që do të mund t'i rezistojë kohës e shërbejë më tej klimës shumë të mirë ekzistuese në marrëdheniet midis dy vendeve është zbatimi i paanshëm e në përputhje të plotë i kërkesave të Konventës për Detin si dhe akteve ligjore të përcaktura nga Gjykata Ndërkombëtare e gjykatat e tjera në funksion të saj.


Një marrëveshje e tillë mund të jetë e pranueshme vetëm nëse ajo respekton të drejtat e barabarta të të dy shteteve për hapësirën detare që ato ndajnë si dhe delimitimi arrin në një zgjidhje të barabartë dhe të ndershme.


Nëse një gjë e tillë është e pamundur të arrihet nga bisedimet dy-palëshe atëhere e vetmja alternative po aq e besueshme mbetet gjykimi nga një palë e tretë që përcaktohet nga gjykata. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve në gjykate nuk ka aspak në themel kundërshti politike.


Ato janë thjesht të karakterit teknik që mund të burojnë nga këndvështrime të ndryshme juridike e profesionale të palëve për çështje konkrete të lindura në procesin e delimitimit.


Shumë vende me demokraci nga më të zhvilluarat, anëtare të NATO-s dhe BE kanë zgjidhur shpesh midis tyre cështje të njëjta si kjo që diskutojmë me ndihmën e gjykatave të arbitrazhit dhe ato asnjëherë nuk i kanë kaluar kufijtë e komenteve teknike dhe nuk jane bërë kurrë pjesë e debatit politik në vendet e tyre.

 

 


Komente (0 vendosur):

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mik
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Shtator, 2010 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30
Vlereso artikullin
0