24 ore lajme: Besnik Bakiu, një nga ish-funksionarët e lartë të Policisë së Shtetit: Ministrat shqiptare raportonin perpara Fazllicit per ceshtjet e sigurise Besnik Bakiu, një nga ish-funksionarët e lartë të Policisë së Shtetit: Ministrat shqiptare raportonin perpara Fazllicit per ceshtjet e sigurise ================================================================================ Gazeta SHQIP on 10 October, 2008 07:43:00 Duket se 33-vjeçari serbo-boshnjak, Damir Fazliç, nuk ka qenë "i dashuruar" me Shqipërinë vetëm për të bërë biznes, por edhe për të qenë sa më brenda çështjeve delikate të shtetit tonë, siç janë ato të sigurisë kombëtare. Ish-funksionari i lartë i Ministrisë së Rendit Publik, Besnik Bakiu, në një intervistë për gazetën "Shqip" rrëfen për një takim të nivelit më të lartë që mund të organizojë një shtet, për sa i përket diskutimit për çështje të sigurisë së kufijve, porteve, aeroporteve etj., ku ministra, gjeneralë e drejtorë të përgjithshëm janë "rreshtuar" para tij. Lulzim Basha, Fatmir Mediu, Sokol Olldashi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, drejtorët e Përgjithshëm të Aviacionit dhe Porteve, në mars të vitit 2006, në zyrën e Fatmir Mediut, kanë raportuar e i kanë vënë në dispozicion informacion të klasifikuar, pikërisht nipit të kreut të UDB-së serbe, Damir Fazliç-it, në periudhën kur ky shërbim sekret famëkeq për gjithë kombin shqiptar ishte shndërruar në armën më të fuqishme dhe më të financuar nga Milosheviçi, kundër Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk dihet se çfarë u bë dhe ku e destinoi këtë informacion të bollshëm dhe sekret Fazliç. Por zelli i tepruar i përfaqësuesve më të lartë të shtetit për të dorëzuar pikat e dobëta të sigurisë së vendit tonë te një njeri i dyshimtë, i paverifikuar nga shërbimet tona të inteligjencës, vetëm e vetëm sepse paraqitet si pjesëtar i një "ekipi të lartë amerikan" (i pashoqëruar nga asnjë përfaqësues i ambasadës së SHBA-së në Tiranë), duket se përbën një skandal përtej "pastrimit të parave të pista" nga Qipro në Shqipëri… Zoti Bakiu, ditët e fundit ju kemi parë shpesh në kronikat arkivore të televizioneve në një takim të zhvilluar në Ministrinë e Mbrojtjes, ku i pranishëm ka qenë edhe zoti Fazliç, tashmë personazh mjaft i përfolur nga media dhe politika shqiptare… Ka qenë ditë e diel paradite, në mos gaboj data 4 ose 5 mars 2006, kur më telefonon drejtori i Përgjithshëm i Policisë në atë kohë, Bajram Ibraj, i cili më kërkoi të përgatisja urgjentisht një material informativ të gjerë për ministrin mbi gjendjen e sigurisë në kufi, pasi vinte një delegacion shumë i rëndësishëm amerikan. Pasi përgatita materialin e zgjeruar dhe e dorëzova, zoti Ibraj më thotë se në takim duhet të merrja pjesë edhe unë. Fillimisht refuzova, pasi në thashethemnajën e korridoreve të ministrisë, unë "për nevoja pune isha shkarkuar nga detyra" (gjë që u vërtetua shumë shpejt), por kur mësova prej eprorit tim se delegacioni që pritej ishte shumë i rëndësishëm për ecurinë e reformave, pranova. Përse u organizua ky takim dhe kush merrte pjesë në të? Fillimisht nuk kishim dijeni (as drejtori i Përgjithshëm) për përbërjen dhe axhendën e bisedimeve të delegacionit "shumë të rëndësishëm" amerikan (evidente kjo në atmosferën e tensionuar për seriozitetin dhe rëndësinë e takimit në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes). Kur pyetëm për më shumë hollësi, na u tha se bëhej fjalë për një delegacion të nivelit shumë të lartë amerikan, i cili do të kryesohej nga ish-sekretari i Sigurisë në SHBA zoti, Tom Rige. Na u tha gjithashtu se në atë mbledhje do të diskutohej për sigurinë aeroportuale dhe kontrollin e kufijve tanë. Takimi u zhvillua në zyrën e ministrit të Mbrojtjes, zotit Fatmir Mediu. Përveç Mediut, të pranishëm ishin edhe ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi e ministri i Transportit, Lulëzim Basha. Në takim merrnin pjesë gjithashtu edhe drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil, Gazmend Dibra; drejtori i Përgjithshëm i Porteve, Osman Metalla; shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Pëllumb Qazimi; drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj; kapiteni i Përgjithshëm i Kapitanerisë së Porteve, një drejtor drejtorie në Shtabin e Përgjithshëm dhe unë. Në mes të takimit erdhi edhe këshilltari i Kryeministrit, zoti Glori Husi. Ndërsa nga pala amerikane, në mos gaboj, ishin zoti Tom Rige, zotëria që na paska qenë Damir Fazliç dhe një zonjë. Mbaj mend që nga ana e organizatorëve ishin marrë masat që ky takim të kishte një pasqyrim sa më të gjerë mediatik. Çfarë u diskutua në takim? Në takim u diskutua ose më saktë u raportua nga ministrat respektivë për masat e mara nga dikasteret respektive, gjendjen e sigurisë dhe problemet e vështirësitë në fushën e sigurisë në kufi, porte e aeroporte. Pas bisedës u organizua edhe një vizitë në ambientet e qendrës operative të gatishmërisë së Shtabit të Përgjithshëm. Çfarë ju bëri përshtypje në këtë takim? E para ishte ardhja me një vonesë të konsiderueshme në takim e delegacionit amerikan (gjë që më bëri nervoz, pasi një mikut tim i kishte ndodhur një fatkeqësi familjare dhe unë duhet t‘i gjendesha atij). E dyta, mosshoqërimi nga asnjë punonjës i ambasadës amerikane i këtij "delegacioni të lartë", sidomos kur tek unë kishte lenë një shije jo të mirë shoqërimi (i pamotivuar protokollar) që i kishte bërë një zyrtar i lartë i kësaj ambasade gazetarit Nikolas Gejxh gjatë takimit me politikanë të nivelit të lartë. E treta, vetësiguria e zotit Basha (i cili mbërriti vetëm disa minuta përpara se të vinte delegacioni) dhe servilizmi i paprecedent për t‘u bërë sa më i pëlqyer i zotit Olldashi. E katërta, entuziazmi i pajustifikuar i anëtarëve të delegacionit për "reformat e shkëlqyera", që kishim bërë në fushat e mësipërme dhe lehtësia që ata "pranonin" për t‘u gënjyer. Sot që e keni marrë vesh se "amerikani" Fazliç paska qenë një serbo-boshnjak i akuzuar nga drejtësia jo vetëm në vendin e tij, si ndiheni? Personalisht ndihem i fajshëm (në mirëbesim ministror) dhe institucionalisht i skandalizuar. Duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë, sikur edhe 1% e atyre që janë botuar në median shqiptare për zotin Fazliç të jenë të vërteta, është e papranueshme që ministrat dhe titullarët e institucioneve kryesore shtetërore të sigurisë kombëtare raportojnë për problemet e sigurisë dhe masat e marra për luftën kundër trafiqeve dhe terrorizmit përpara një personi të tillë. T‘i tregosh pikat e dobëta të sigurisë së kufijve të tu një personi të tillë, është... Më falni, por gjuha shqipe është e varfër për ta thënë. Populli thotë "t‘i varësh ujkut mëlçitë në qafë". Shteti në këtë rast është më shumë se i paqenë. Unë, i ndodhur thuajse rastësisht në atë takim kohë më parë, tani ngre supet, vë pikëpyetjet e mia dhe kur lexoj ato që thuhen në faqet e shtypit, tronditem dhe mbetem i pagojë... Si e shpjegoni sot shoqërimin që zoti Fazliç i bënte ish-sekretarit amerikan të sigurisë, zotit Tom Rige? Për sqarim, të paktën unë personalisht (siç m‘u tha), e mora zotin Fazliç si zyrtar të lartë amerikan. Kurse për sa i përket pyetjes tuaj, nuk arrij ta kuptoj dot këtë shoqërim. Për të zgjeruar pyetjen tuaj, dua të evidentoj me shqetësim një keqpërdorim që i bëhet miqësisë dhe dashurisë që populli shqiptar ka për SHBA, nga ana e politikanëve shqiptarë, duke paraqitur mendimet personale të disa individëve me shtetësi amerikane, si qëndrime zyrtare të politikës amerikane. Kjo është spekulative, madje e dënueshme. Këta politikanë duhet ta dinë mirë se SHBA janë miku më i madh i popullit shqiptar, duke na ndihmuar e mbështetur në ecurinë e reformave demokratike, dhe nuk është në filozofinë e tyre si kampionë të demokracisë, preferencat për politikanë të veçantë. Meqenëse doli ky problem, si e gjykoni thirrjen e ekspertit amerikan për çështjen "Trebicka"? Për mua ishte e panevojshme, pasi ekspertiza që ju kërkua ishte një veprim i thjeshtë rutinë, që ekspertët shqiptarë e kryejnë për fat të keq si pasojë e numrit të lartë të aksidenteve rrugore, shpesh herë. Problem tjetër ishte që kjo ekspertizë u krye kur në vendngjarje (për shkak të kohës) kishin ndodhur jo pak ndryshime. Shqetësim është edhe pozicioni procedural i këtij eksperti. Pra, edhe kjo ngjarje tregoi mungesën e dinjitetit dhe integritetit personal e profesional të institucioneve ligjzbatuese. Me "ekspertizën e postuar" prokuroria dhe policia lanë duart si Pont Pilati. Gjithashtu, duke njohur organizimin dhe funksionimin e agjencive të sigurisë në SHBA dhe legjislacionin ndërkombëtar të fushës, jam i paqartë për organin që ju dërgua kërkesa dhe për mënyrën e përzgjedhjes dhe caktimit të zotit Teter nga policia e Verxhinas, si ekspert në këtë çështje. Para disa ditësh, me anë të medias, ju i jeni drejtuar me një letër të hapur Prokurores së Përgjithshme, zonjës Ina Rama. Çfarë do t‘i shtonit kësaj letre, në dritën e zhvillimeve të fundit? Nuk heq asgjë nga ato që i kam shkruar zonjës Rama, por do t‘i sugjeroja institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme që minimalisht jo vetëm për detyrim institucional, por për atë qytetar (u bë rreth një javë që "çështja Fazliç" është kryetema e ditës në shoqërinë shqiptare, duke eklipsuar verbërisht rezolutën kundër pavarësisë së Kosovës që u votua në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe kur gjithë bota po merret me krizën ekonomike), të kishte bërë sikur të merrte në pyetje zotin Fazliç (edhe nëse ishte e nevojshme t‘i paguante 1 orë vonesë çarterin). Ai erdhi, foli, iku, i shoqëruar me bodigardë të një lloji të veçantë. I mungonte vetëm tapeti i kuq. Nëse nuk kanë staturë për t‘u bërë Rudolf Xhuliani apo Di Pietro shqiptar, të tentojnë t‘i afrohen prokurorisë të shtetit më të brishtë ballkanik, atij të Bosnjës. Si e komentoni ardhjen dhe largimin e zotit Fazliç në Tiranë dhe akuzën e opozitës për rrëzim të institucioneve të sigurisë kombëtare? Nuk dua të bëj komente politike, pasi shpirtërisht dhe juridikisht jam i depolitizuar. Megjithatë, duke qenë ithtar i politikave institucionale, mendoj se ngritja e komisioneve hetimore parlamentare është një nga rrugët më efikase për një shoqëri normale dhe një Republikë Parlamentare. Si qytetar, duke njohur e respektuar të drejtën e çdo individi të flasë dhe mbrohet për akuzat që i bëhen, e quaj të justifikuar; kurse për sa i përket mënyrës së ardhjes dhe sidomos përcjelljes së tij, e vlerësoj të panevojshme dhe pa të motivuar. Çdo tejkalim i masës është i dëmshëm. Në përfundim, si ekspert në çështjet e sigurisë kombëtare, si e vlerësoni situatën e krimit të organizuar në Shqipëri? Lufta kundër tij është një nga detyrimet që ne kemi për integrimin euroatlantik. Për këtë mjafton të lexosh raportet ndërkombëtare për Shqipërinë. Por më shumë se sa detyrim ndërkombëtar, ky është një detyrim për vetë ne shqiptarët, për të ardhmen e këtij vendi. Në këtë kuadër desha të theksoj disa shqetësime: E para, informaliteti i shoqërisë shqiptare (jo vetëm financiar), është një nga faktorët që e minon këtë luftë. E dyta, brishtësia, paqëndrueshmëria dhe politizimi i institucioneve përgjegjëse në këtë luftë. E treta, inkriminimi verbal i politikës shqiptare. Historia e dosjeve (pa zbardhur asgjë) nuk na është ndarë në këtë periudhë postdiktature. Politikanët shqiptarë nuk e kanë për gjë të akuzojnë njëri-tjetrin për lidhje kriminale nga më të frikshmet. Ky superinflacion i përdorimit të këtyre akuzave dhe mosshoqërimi me ndëshkime penale, përbaltja e të gjithëve nga të gjithë, ka bërë që njeriu i ndershëm të vetëpenalizohet si i pazot se nuk qenka i tillë. E katërta, strategji-ligjomania. Po të shikosh web site-n e institucioneve të sigurisë kombëtare, lodhesh nga numri i madh i strategjive kombëtare e ndërsektoriale (në jo pak raste të panevojshme); kurse po të bësh një monitorim të thjeshtë të zbatimit të detyrave, do të ngelesh i zhgënjyer. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ligjet, pa u verifikuar efikasiteti i zbatimit të tyre dhe problematika që nxjerr përditshmëria, fillon amendimi dhe ndryshimi tërësor i tyre.