24 ore lajme: Haradinaj takohet mne Tirane me kryeministrin Berisha dhe ministrin e jashtem Basha Haradinaj takohet mne Tirane me kryeministrin Berisha dhe ministrin e jashtem Basha ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 02 September, 2008 07:02:00 Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj, është pritur sot nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, me të cilin ka diskutuar zhvillimet aktuale politike nëpër të cilat po kalon Kosova, shqiptarët dhe rajoni në përgjithësi. Fillimisht, kryeministri Berisha e ka përgëzuar ish-kryeministrin Haradinaj për punën e tij si ish-kryeministër i Kosovës dhe për qëndrimin e tij dinjitoz në të gjitha sfidat e fundit që ka kaluar, veçanërisht për mbrojtjen dinjitoze dhe kokëlartë të vlerave çlirimtare dhe liridashëse të popullit të Kosovës. Nga ana e tij, kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri Haradinaj është shprehur se në këtë vizitë të tij të parë në Shqipëri dëshironte t`i përcjellë personalisht kryeministrit Berisha urimet e tij për arritjet e Shqipërisë dhe falënderimet për kontributin e çmuar që Shqipëria po e jep në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kryetari i AAK-së, gjithashtu, e uroi kryeministrin Berisha për marrjen e ftesës nga Shqipëria për anëtarësim në NATO dhe për sukseset e gjithanshme në zbatimin e reformave të ndërmarra. Kryeministri Berisha tha se pavarësia e Kosovës është një moment historik, i paharrueshëm për të gjithë shqiptarët. Njohja e pavarësisë së Kosovës, vijoi kryeministri Berisha, nga 45 vende të botës, është një hap i rëndësishëm dhe i suksesshëm i bërë tashmë dhe se me durim duhet çuar më tej. Ai ka thënë se promovimi i Kosovës dhe njohja e pavarësisë së saj jashtë Evropës është një objektiv kryesor që me maturi duhet avancuar përpara. Berisha i ka thënë Haradinajt se e mbështet propozimin për projekte ekonomike të përbashkëta, duke theksuar se Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë duhet të fillojnë punën për projektin energjetik që parashikon ndërtimin e një TC-i me linit, me kapacitet 500 megavat. “Modernizimi i infrastrukturës, rrugët e reja që janë ndërtuar dhe ato që janë në proces dhe portet, do t’i intensifikojnë marrëdhëniet ekonomike midis Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe do t’i konsolidojnë ekonomitë të dyja vendeve”, ka qenë pajtimi gjatë takimit midis kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj takoi edhe ministrin e Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha Në kuadër të vizitës treditëshe zyrtare në Tiranë, sot ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka takuar ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha, me të cilin kanë bashkëbiseduar rreth zhvillimeve aktuale politike në Kosovë dhe rajon dhe rreth marrëdhënieve midis dy vendeve. Basha e ka vlerësuar lartë angazhimin e mëparshëm dhe të tanishëm të ish-kryeministrit Haradinaj në proceset politike që ka kaluar Kosova, si në fazën deri te arritja dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës, ashtu edhe pas saj. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se Kosova gjendet në një moment të veçantë historik dhe para sfidave të rëndësishme kështu që, kanë thënë ata, vendi ka nevojë për kontributin dhe përkushtimin e të gjithëve, për mbështetje maksimale lidhur me njohjen ndërkombëtare, për përmbylljen me sukses të periudhës së tranzicionit dhe ecjen e sigurt përpara në konsolidimin e shtetit demokratik, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian. Kryetari Haradinaj, nga ana e tij, falënderoi për kontributin e dhënë shtetin shqiptar në përgjithësi dhe diplomacinë shqiptare në veçanti, në të gjithë procesin e pavarësimit të Kosovës dhe theksoi se mbështetja e Shqipërisë është e mirëpritur edhe në zhvillimet e ardhshme, njofton Zyra për informim e AAK-së.