24 ore lajme: Dy ish presidentet Meidani dhe Moisiu dhe Dritero Agolli i bashkohen kerkeses per Referendumin Kushtetues Dy ish presidentet Meidani dhe Moisiu dhe Dritero Agolli i bashkohen kerkeses per Referendumin Kushtetues ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 29 May, 2008 06:27:00 Dy ish-presidentët e vendit, Alfred Moisiu dhe Rex hep Meidani, por edhe më i vjetri i socialistëve, shkrimtari Dritëro Agolli kanë bashkuar firmat për referendumin kushtetues. Këta emra dhe shumë personalitete të tjera të rëndësishme do t’i kërkojnë këto ditë KQZ-së që të lëshojë formularët tip për të mbledhur 50 mijë firma në popull, në mënyrë që të hapet rruga për zhvillimin e referendumit për të kundërshtuar ndryshimet kushtetuese që u miratuan nga dy partitë e mëdha në Kuvend në 21 prill. Dy anëtarët e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji dhe Andrea Stefani bënë publike kërkesën prej 13 faqesh, e cila do të dërgohet shumë shpejt në KQZ. Sipas kryetarit të komitetit, Artur Zheji, kjo nismë ka edhe mbështetjen e përfaqësive diplomatike më të rëndësishme që janë sot të pranishme në Shqipëri, pikërisht për këtë proces”. Zheji, duke cituar edhe Berishën në vitin 1998 kur u miratua Kushtetuta, tha se kjo Kushtetutë ka ndryshuar në të paktën 70 % të saj, dhe “u ndryshua pa konsultim popullor, pa referendum, pa ftuar popullin të ishte pjesë, palë e domosdoshme për të ndryshuar apo për të pasur në fuqi Kushtetutën e vet”. Ndërkohë, në listën e gjatë të firmëtarëve që kërkojnë referendumin janë edhe Ilir Meta, Neritan Ceka, Paskal Milo, Dashamir Shehu, Engjëll Bejtaj, Petro Koçi, Halil Lalaj, Taulant Dedja, Makbule Çeço, Spartak Braho, Frrok Çupi apo Fatos Lubonja, etj. “Këta zotërinj, me reputacionin që kanë, e kanë parë të udhës që të nënshkruajnë këtë kërkesë, pikërisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që t’i mundësohet shqiptarëve e drejta, nuk është as lëmoshë, as tolerim, për të votuar, për t’u shprehur për shndërrimin, denatyrimin dhe masakrimin e Kushtetutës në 21 prill”, - tha Zheji për firmat që kanë hedhur Moisiu e Meidani. Ndërsa anëtari tjetër, Andrea Stefani tha se “kërkesa jonë bazohet te kjo Kushtetutë, te ky dokument themeltar i miratuar nga populli vetë me referendum, dhe të gjithë mbrojtësit e tezës së shumicës në parlament, qofshin këta socialistë apo demokratë, juristë të Berishës apo juristë të Ramës, bëjnë një spekulim tepër banal kur thonë se nuk ka të drejtë populli që me referendum të hedhë poshtë një ligj të parlamentit”.