24 ore lajme: Perfundon mbledhja e KLD-se. Gjykatesi qe liroi Sefgjinin gradohet kryetar i Apelit te Krimeve te Renda Perfundon mbledhja e KLD-se. Gjykatesi qe liroi Sefgjinin gradohet kryetar i Apelit te Krimeve te Renda ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 28 May, 2008 07:07:00 Presidenti i Republikës, Bamir Topi drejtoi sot mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që pati si çështje kryesore shqyrtimin e kandidaturave dhe zgjedhjen e kryetarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër. Ne mbledhje u miratuan te gjitha kandidaturat e paraqitura. Ne kandidaturat e paraqitura dhe te miratuara eshte ajo e zotit Gjovalin Pernoca, i cili eshte zgjedhur kryatar i Gjykates se Apelit per Krimet e Renda. Zoti Pernoca eshte gjykatesi qe liroi nga masa e arrestit ish kryetarin e SHIK-ut te Tiranes zotin Arben Sefgjini dhe e ktheu ate ne pune. Në hapje të mbledhjes, Presidenti Topi, njëkohësisht Kryetar i KLD-së iu drejtua anëtarëve të KLD-së, kandidatëve dhe të pranishmëve: “Komunikimin e parë dëshiroj ta bëj me median, përsa i përket strukturës së zhvillimit të kësaj mbledhje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kemi deklaruar që do të jemi të hapur, do të jemi transparentë. Të nderuar anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Të nderuar kandidatë, Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj! Më lejoni të hap të mbledhjen e sotme plenare të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke shprehur së pari në cilësinë e Kryetarit të Shtetit gjithë mbështetjen time për forcimin e shtetit të së drejtës dhe veçanërisht në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të rikonfirmoj përpara jush të gjithë gatishmërinë time maksimale për të drejtuar veprimtarinë vendimmarrëse të këtij organi kushtetues. Të nderuar anëtarë të Këshillit, Strategjia e reformimit të sistemit të drejtësisë, tashmë ka nisur rrugën e saj me adoptimin e ligjeve të reja me iniciativa në trajtimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor, apo dhe me ngritjen e partneriteteve të bashkëpunimit për një legjislacion sa më të harmonizuar me legjislacionin e vendeve evropiane. Megjithatë, kur flasim për drejtësi, ajo që gjithkush kupton është: “ligje të mira në duart e profesionistëve dhe në funksion të së vërtetës”. Ka një shprehje të njohur nga komuniteti i juristëve që azhornohet me thënien e Martin Luter Kingut: “Padrejtësia, edhe kur ndodhet vetëm diku, është kërcënim për drejtësinë që jepet kudo”. Reforma në drejtësi është jo vetëm reformim i të drejtës së shkruar, por edhe i kapaciteteve njerëzore që e zbatojnë atë, ndaj për një shtet demokratik është dhe mbetet prioritet përzgjedhja e më të mirëve për ngritjen e cilësisë së gjykimit dhe imazhit të së drejtës. Emërimi në sistemin gjyqësor i gjyqtarit, apo kryetarit të gjykatës, është një angazhim jo vetëm i gjyqtarit për të dhënë drejtësi, por njëkohësisht është një angazhim i vetë shtetit për të garantuar se do të jepet drejtësi në emër të Republikës dhe kjo vlen për të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor. Autoritetet që nominojnë gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë, të Apeleve, apo gjyqtarët e lartë, vendimet unifikuese të së cilës kanë forcën e ligjit, duhet ta fillojnë përmbushjen e kësaj detyre nga konsiderimi vetëm i atyre kandidaturave që vijnë nga një karrierë profesionale të suksesshme. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e tij të fundit vetëm një muaj më parë ka përzgjedhur gjashtëmbëdhjetë kryetarë të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të Apeleve, duke lançuar kështu platforma të reja të drejtimit të drejtësisë shqiptare në një hapësirë të gjerë gjeografike. Mbledhja e sotme ka në rendin e vet të ditës si çështjen më kryesore vazhdimësinë e këtij procesi nominativ dhe sjell në tryezën e punës së këtij Këshilli pesë gjykata, përkatësisht ato të Rretheve Gjyqësore Vlorë, Sarandë e Dibër, si edhe dy gjykatat për Krime të Rënda në Shkallë të Parë dhe në Apel, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Tiranë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë përballet sot sërish me sfidën e përzgjedhjes së kryetarëve të pak gjykatave krahasuar me një mbledhje më parë, por jo më pak të rëndësishme. Nuk mund të mos përmend se reforma në drejtësi ka një ndër objektivat specifike të saj luftën kundër krimit të rëndë dhe atij të organizuar, efektiviteti i së cilës i shërbeu krijimit të Gjykatës për Krime të Rënda dhe drejtimi i së cilës ndikon drejtëpërdrejt në rritjen e transparencës dhe të perceptimit të publikut tek gjykata dhe, për pasojë, ky drejtim ka ndikim direkt në rritjen e besimit të shtetasve tanë në dhënien e drejtësisë. Në këtë proces garues, garancia për një përzgjedhje të drejtë mes shumë kandidatëve, është padyshim transparenca e procedurës së konkurimit me të cilin Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur që çdo konkurent, në prani të një auditori të zgjedhur, të manifestojë cilësitë e veta drejtuese dhe të demonstrojë nivelin e performancës profesionale, me të cilin synon të drejtojë nesër gjykatën. Do të dëshiroja ta mbyllja fjalën time me mesazhin drejtuar anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke ju kërkuar përkushtim dhe profesionalizëm të plotë për emërimin e kryetarëve të gjykatave, në mënyrë që standardet e promovimit që ky Këshill lançon të jenë të larta, profesionale dhe njëkohësisht koherente me qëndrimet tashmë të mbajtura më parë prej tij si dhe t’i shërbejë një sistemi gjyqësor vizionar, duke synuar të përzgjedhë drejtues, që do të veprojnë në emër të drejtësisë të së sotmes dhe të së nesërmes. Në të njëjtën kohë, duke ju uruar të gjithë kandidatëve suksese, kam kënaqësinë të hap procedurën e dëgjimit të kandidaturave dhe që nga ky moment t’i delegoj Zëvendëskryetarit të KLD-së, z. Spahiu të drejtojë seancën në vazhdim.