Faqja e Pare | Shqiperia | Humbje e pazevendesueshme per boten shqiptare te medias: - Vritet ne aksident automobilistik themeluesi dhe presidenti i Top Medias Dritan Hoxha

Humbje e pazevendesueshme per boten shqiptare te medias: - Vritet ne aksident automobilistik themeluesi dhe presidenti i Top Medias Dritan Hoxha

Zgjidhni madhesine e germes: Decrease font Enlarge font
image Dritan Hoxha

Dritan Hoxha, presidenti i “Top Media”, themelues i “Top Albanian Radio”, “Top Channel”, dhe “Dixhitalb” humbi jetën në një aksident tragjik automobilistik dje në orët e para të mëngjesit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01. 50 minuta në Bulevardin “Bajram Curri” në Tiranë, pothuajse përballë studiove të Top Channel, përballë ish ekspozita “Shqipëria Sot”. Sipas njoftimit të policisë makina Tip Ferrari ngjyrë e kuqe, me targa DK 3892 H, në pronësi të 40 vjeçarit nga Tirana ka dalë nga rruga dhe pasi ka përshkuar në një hapësirë të plotë prej 97.5 metra, është përplasur me pemën 3.1 metra, në lulishten e lumit të Lanës. Për shkak të përplasjes së fortë makina është ndarë në dy pjesë dhe është shkatërruar tërësisht. Në vendin e ngjarjes, mbërritën forca të shumta policie, duke ndërhyrë menjëherë, për të dhënë ndihmën e parë 40 vjeçarit. Dritan Hoxha vdiq gjatë rrugës teksa dërgohej për Spitalin Ushtarak. Humbja është e pazëvendësueshme për gruan e tij Vjollcën. Dritan Hoxha do ti mungojë tre vajzave te tij Lorit, Sarës, Redias si dhe djalit të tij të vogël, Itan, i cili lindi vetëm një vit më parë.

Top Channel dhe Top Albania radio ndërpreu transmetimet e saj që ishin parashikuar në program pas konfirmimit të lajmit tragjik. Në orën 09.00, në Top Channel dhe në Top Albanian Radio u lexua një komunikatë në të cilën ndër të tjera thuhet: “Padyshim humbja më e madhe njerëzore është për familjen e tij, për nënën Zyranë, e cila e rriti Dritanin, në mungesë të babait të tij, që për rastësi tragjike, ishte shuar edhe ai në një moshë të re. Dritan Hoxha u rrit mes halleve të shumta si të gjithë shqiptaret, në shtëpinë e tij të parë në Laprakë. Në Laprakën që e rriti si djalin e saj, Tanin, një i ri i jashtëzakonshëm, i cili merrej me shpikje teknologjike për të çarë terrin informativ që kishte vendosur regjimi komunist.” Kjo komunikatë e lexuar në median që ai krijoi mbyllej me fjalët: “Zemra e Dritan Hoxhës ndaloi në mëngjes, pikërisht pak metra larg vendit, për të cilin ajo rrihte më fort, pranë studiove të Top Channel.

Mesazhi nga Top Media

Bota e medias dhe veçanërisht “Top Media”, “Top Channel”, “Top Albania Radio”, “DigitAlb” janë në një gjendje shoku, pas lajmit se Dritan Hoxha, president i “Top Medias” dhe themelues e krijues i “Top Albania Radio”, “Top Channel” dhe “DigitAlb”, është ndarë në mënyrë tragjike nga jeta, në të gdhirë të datës 23 maj 2008. Dritan Hoxha, i cili mbushte 40 vjeç këtë vit, është shuar pak minuta pas një aksidenti të rëndë me makinën e tij në një prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, shumë pranë studiove të “Top Channel”. Dritan Hoxha do të mbahet mend gjatë për profilin e tij të veçantë publik, si krijues i një perandorie mediatike, e cila ndryshoi shijet e shqiptarëve dhe dha kontribut të posaçëm në liberalizimin dhe hapjen e shoqërisë shqiptare pas vitit 1990. Ne si punonjës dhe bashkëpunëtorë të tij jemi ende në kërkim të fjalëve, për të shprehur dhimbjen e madhe që na ka mbërthyer në këto orë, kur Tani, ashtu si të gjithë e thërrisnim ne, nuk është më. Padyshim humbja më e madhe njerëzore është për familjen e tij, për nënën Zyranë, e cila e rriti Dritanin, në mungesë të babait të tij, që për rastësi tragjike, ishte shuar edhe ai në një moshë të re. Dritan Hoxha u rrit mes halleve të shumta si të gjithë shqiptarët, në shtëpinë e tij të parë në Laprakë. Në Laprakën që e rriti si djalin e saj, Tanin, një i ri i jashtëzakonshëm, i cili merrej me shpikje teknologjike për të çarë terrin informativ që kishte vendosur regjimi komunist. Humbja është e pazëvendësueshme për gruan e tij Vjollcën, me të cilën ai krijoi familjen e tij të shtrenjtë. Dritan Hoxha do t’i mungojë tre vajzave të tij Lorit, Sarës, Redias, si dhe djalit të tij të vogël, Itan, i cili lindi vetëm një vit më parë. Dritan Hoxha do t’i mungojë Top Channel, pasi do t’i mungojë motori i pashtershëm i ideve, projekteve të guximshme dhe ambicioze që kërkonte t’i realizonte, dhe t’i realizonte shpejt, ashtu siç edhe ai vetë jetonte jetën e tij, me një ritëm të jashtëzakonshëm. Dritan Hoxha do t’i mungojë Top Albania Radios, krijesës së tij të dashur dhe të parë mediatike. DigitAlb do të ndjejë mungesën dhe peshën e madhe të kujdesit për këtë kompani të madhe mediatike, filialet e së cilës Dritan Hoxha i rriti me dashurinë që një baba rrit fëmijët e tij. Por në një farë mënyre Dritan Hoxha është kudo, në çdo qelize të Top Medias, në çdo sekondë që ne transmetojmë në eter. Në eter aty ku tani endet edhe shpirti i personit që u njoh si Tani i Topit dhe si i tillë do të mbahet mend përgjithmonë. Zemra e Dritan Hoxhës ndaloi në mëngjes, pikërisht pak metra larg vendit, për të cilin ajo rrihte më fort, pranë studiove te Top Channel.

Presidenti Topi homazhe në Top Media

Në orën 14:15 në mjediset e Top Channel mbërriti edhe presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ai deklaroi se veç humbjes së një njeriu është humbja e dikujt që ka kontribuar shumë në vitet e Shqipërisë moderne, në futjen e një imazhi të ri në media, teknologji e informacion. Më herët, përmes stafit të tij të ngushtë presidenti i Republikës i dorëzoi familjes së Dritan Hoxhës një letër ngushëlluese, përmes të cilës ai bashkohet me dhimbjen që ka përfshirë nënën, bashkëshorten dhe fëmijët e tij. “Me keqardhje të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të të dashurit tuaj Dritan Hoxha, njeriut që me punën e tij ambicioze i dha një dimension të ri bashkëkohor teknologjisë së medias vizive në Shqipëri. Me humbjen e Dritanit, Top Media humbi themeluesin dhe promotorin energjik e vizionar të saj, ndërsa nëna, bashkëshortja dhe fëmijët, njeriun e tyre më të shtrejtë”, thuhet në mesazhin e presidentit të Republikës.

Mesazhi nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama

“Sot vdiq një njeri nga ata që bëjnë histori. Tani i Topit arriti i vetëm për 7 vjet atë që vendeve si Shqipëria u duhen 70 vjet për të arritur. Ai jetoi me 300 km në orë dhe fluturoi larg, duke kapur ëndrrën e tij dhe duke ndezur ekranin e shekullit të ri në një Shqipëri që ende jeton pas perdes së shekullit të vjetër. Vepra madhështore që Tani i Topit ndërtoi me intuitën e një gjeniu dhe pasionin e një fëmije, është modeli i një suksesi të barabartë me një jetë frenetike të jetuar në timon. Pa e ulur shpejtësinë për asnjë dekikë. Pa pyetur për orën dhe as për rreziqet e rrugës. Pa fjetur përveçse duke mbyllur sytë për të ecur më shpejt. Pas profesionistëve e talenteve që në mikrofonin e Top Albanias dhe ekranin e Top Channel-it gjetën oazin e zhvillimit të tyre në kushte optimale, ishte jeta e një njeriu në kërkim të pareshtur të cilësisë më të mirë. Pas prurjes së pandalshme të risive të komunikimit, formateve moderne të pasqyrimit të aktualitetit, të qeshurave therëse të Fiksit e atyre me lot të Portokallisë, tingujve të Top Festit dhe jehonës së stadiumeve të botës së Super Sportit në kohë reale, ishte jeta e një njeriu në garë me kohën. Pas tasteve të telekomandës që çelte çdo vit dritare të reja në shtëpitë tona, ishte jeta e një njeriu që s'mund të plakej. Ikja e tij përgjithnjë nga kjo botë që nuk i mjaftoi asnjëherë, le pas kudo trishtimin e thellë për ç’ka humbi sot Shqipëria. Së bashku me dhimbjen e madhe tek unë për humbjen e një njeriu të jashtëzakonshëm, që pata fatin ta njoh nga afër qyshse nisi t'i japë jetë ëndrrës për të cilën qe lindur dhe të cilës i kushtoi jetën. 

Ish presidenti Moisiu homazhe në Top Media

Për të ngushëlluar familjen e presidentit të ndjerë të Top Medias, Dritan Hoxha, si dhe bashkëpunëtorët e stafin e Top Media, në mjediset e Top Channel ishte dje në orën 14.30 edhe ish presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Ai bëri homazh para arkivolit me trupin e Dritan Hoxhës dhe ngushëlloi familjen e tij për këtë humbje të madhe që tronditi atë dhe gjithë të afërmit e tyre.

Mesazhe ngushëllimi nga personalitete e organizata

Një nga figurat e njohura të hapësirës shqiptare, Arber Xhaferri në mesazhin ngushëllues për familjen, miqtë dhe punonjësit e Top Medias, shprehet i pikëlluar jashtë mase nga vdekja aksidentale e Dritan Hoxhës. “Për mua ishte emblemë frymëzuese e optimizmit e suksesit të rinisë shqiptare të kohëve të zymta të tranzicionit”, thuhet në mesazhin e Xhaferrit. Përmes një mesazhi ngushëllimi kryetari i Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë “Kurum International” shprehet: “Në këto momente ndjej dhimbje për ndarjen nga jeta të të njohurit tim të çmuar Dritan Hoxha në këtë aksident tragjik. Në emrin tim dhe gjithë punonjësve tanë shprehim ngushëllimet dhe ndajmë dhimbjen me familjarët dhe miqtë e tij”. Në mesazhin ngushëllues të lëvizjes Mjaft thuhet se kjo humbje shkon përtej rrethit të njerëzve që e njohën dhe punuan me të. “Kjo është humbje e të gjithëve. Dritan Hoxha ishte ndër të paktët njerëz që u njehsua me institucionin, me krijesën e tij, duke sjellë në median dhe opinionin publik shqipfolës një vlerë të shtuar të pamohueshme. Falë pasionit dhe këmbënguljes, ai krijoi një biznes të suksesshëm dhe mbi të gjitha, një institucion garant të demokracisë. Top Media u bë një pikë referimi për standardet e mendimit dhe fjalës së lirë, një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave kombëtare, që i kalojnë kufijtë formalë të Shqipërisë. Nuk është aspak e tepruar të themi që falë kontributit të këtij njeriu, të gjithë ne, gëzojmë sot disa liri më shumë, për mbrojtjen e të cilave, shpesh herë, gazetarë, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, kemi qëndruar bashkë në të njëjtën llogore. Sot nuk është një ditë zie vetëm për familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, por është një moment i vështirë për komunitetin e medias dhe për qytetaret e këtij vendi kaq të vogël që nuk do të kenë mes tyre, një njeri që me energjinë e tij pozitive arriti të krijojë një standard dinjitoz mbarëkombëtar, ndoshta i vetmi përmes të cilit u ndjemë të krahasueshëm me qytetarët evropiane”, thuhet në mesazhin e lëvizjes Mjaft. Edhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit shpreh ngushëllimet për humbjen e një njeriu që i dha më shumë se kushdo medias dhe fjalës së lirë. Një mesazh ngushëllues për familjen Hoxha erdhi edhe nga minatorët e Bulqizës, të cilët  kanë gjetur në Top Channel dritaren më të madhe për të ngritur shqetësimet e tyre. Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Socialiste, Ylli Bufi u shpreh gjatë një komunikimi me median: “Dua të shpreh së pari ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e presidentit të Top Medias, zotit Dritan Hoxha dhe t’i shpreh familjes së tij, bashkëpunëtorëve të tij në kompaninë e Top Medias ngushëllimet e mia më të përzemërta. Duke e vlerësuar se ishte një humbje tragjike e një personaliteti të fuqishëm, mjaft energjik që dhe një kontribut të madh jo vetëm në median e tij, por në tërësi në zhvillimet e teknologjisë së re të medias në Shqipëri”. 

Thaçi mesazh ngushëllimi familjarëve e kolegëve

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi ngushëllon familjen Hoxha dhe kolegët e tij, me rastin e vdekjes tragjike të Presidentit të Top Media-s, Dritan Hoxha. “Me hidhërim morëm lajmin për vdekjen tragjike të Presidentit të kompanisë Top Media, Dritan Hoxha. Familja Hoxha humbi më të dashurin e tyre, ndërsa komuniteti i gazetarisë një emër dhe drejtues të zellshëm në fushën e informacionit modern. Ju lutem pranoni ngushëllimet më të thella në emër të Qeverisë së Kosovës, dhe në emrin tim”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Thaçi.

Komente (1 vendosur):

B92-aga KRITIKANI ne 23 May, 2008 11:01:00
avatar
me dhimbet ky njeri po qka lyp ky me ket ferrari ne AL atje nuk jan rrug as ne shqiperi as ne ballkan per ferrari dhe paska pasur lek shum ky per ferrari ,per vendin ton jan makina te vogla fiat e vw polo tjert nuk bejn se nuk jan rrugt emira.zoti ua beft leht ne at dynja

Vendosni komentin tuaj comment

Vendosni imazhin e sigurise:

  • email Email tek nje mike
  • print Version i printueshem
  • Plain text Teksti
Kerkoni ne arkiv
first first Dhjetor, 2008 first first
Dj Hn Mr Mk Ej Pr Sht
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Vlereso artikullin
5.00