Presidenti Topi me biciklete ne Tirane me rastin e dites " Pa makina"
Presidenti Topi mori pjesë në aktivitetin sportiv ndërgjegjësues “Dita pa makina”. I shoqëruar nga qindra fëmijë e nxënës të shkollave 9-vjeçare e të mesme të kryeqytetit dhe nga Kosova, Presidenti Topi bëri një shëtitje me biçikletë në Bulevardin kryesor të Tiranës “Dëshmorët e Kombit”, duke synuar simbolikisht ndërgjegjësimin e të gjithë shqiptarëve për pasojat negative që shkakton përdorimi i automjeteve në mjedis.
Aktiviteti, që u çel me ecjen masive me biçikleta, vijoi me ndarjen e çmimeve për nxënësit fitues të garës çiklistike pranë sheshit “Nënë Tereza”, në të cilën mori pjesë dhe Presidenti Topi. Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve për fëmijët fitues në garën çiklistike, Presidenti Topi iu është drejtuar fëmijëve të pranishëm: “Është një kënaqësi e dyfishtë për mua sot, jo vetëm t’ju përshëndes në këtë ditë të shënuar, sikurse është 9 Maji, Dita e Evropës, por t’ju përshëndes edhe për këtë garë të bukur, që bëmë së bashku në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombi’.
E kam thënë edhe në momente të tjera që kjo është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët, por në radhë të parë për brezin e ri, i cili realisht do të jetë në të gjitha kuptimet e mundshme të fjalës, ai që do të prekë Evropën, si qytetar i Evropës me të drejta të plota, pikërisht në atë aspiratë të madhe që ka Shqipëria dhe populli i saj për të qenë anëtar i Bashkësisë Europiane.
Është një moment i gëzuar që unë ndaj me ju këtë ditë, pikërisht me këtë brez, i cili ka jo vetëm kurajon, por edhe të gjithë interesin që të përgatitet si një qytetar i denjë i Evropës, në radhë të parë në bankat e shkollës, në shoqëri, për të qenë i denjë për familjen e tij dhe të gjithë së bashku të përbëjmë atë familjen e madhe shqiptare, për t’u prezantuar në Evropë me vlerat tona më të mira, si qytetarë të denjë, si njerëz të denjë, që do të dinë të përballojnë të gjitha sfidat, që do të kërkojë integrimi ynë në Evropë.
Në këtë ditë të veçantë edhe një herë ju uroj suksese në mësime dhe besoj që kjo ditë të mbetet e shënuar për secilin prej nesh”.
Pas fjalës përshëndetëse, Presidenti Topi u dhuroi nga një biçikletë dy prej nxënësve fitues Ilmi Hasa dhe Françeska Pepi.
Ndërkohë, Presidenti Topi pati kënaqësinë të merrte si dhuratë një prej pikturave të fëmijëve të ekspozuara në Sheshin “Nënë Tereza”, me tematikën e ditës së sotme.
Pas aktivitetit Presidenti Topi iu përgjigj interesimit të gazetarëve:
Top News: Sa vite kishit që nuk kishit hipur në biçikletë zoti Topi?
Presidenti Topi: Duhet të kem vite. Kam qenë një përdorues i biçikletës qysh nga mosha 5-vjeçare. Për fat të keq, vendin e biçikletës e zuri makina.Them për fat të keq, sepse nuk ka pasur gjë më të bukur se të shëtisje rrugëve të Tiranës me biçikletë, sidmos në këtë bulevard.Kështu që në këtë ditë shumë të shënuar, siç është Dita e Evropës, unë e pranova me shumë kënaqësi ftesën e fëmijëve për të bërë një shëtitje me biçikletë, në mënyrë shumë simbolike, sepse Dita e Evropës është për të gjithë, por në radhë të parë është për këta fëmijë, për brezat e rinj, të cilët realisht do të jenë qytetarë të denjë të Evropës, kur Shqipëria të jetë me të drejta të plota anëtare e Bashkësisë Evropiane.
TVSH: Sa efikase janë mesazhe të tilla?
Presidenti Topi: Unë mendoj që këto janë mesazhe mjaft të natyrshme. Fëmijët e kanë më të nevojshme të shikojnë një pjesëmarrje të drejtpërdrejtë njëlloj si ata, sepse ndonjëherë e kanë të vështirë që të thithin, të absorbojnë verbin politik. Kjo është jo vetëm në bindjen time, por besoj është dhe në kënaqësinë e tyre.
Në aktivitetin e sotëm që përmbyll festimet e javës evropiane të organizuar nga Delegacioni i Komisionit Evropian në Shqipëri morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore e vendore, të ambasadave, institucioneve ndërkombëtare, shoqatave mjedisore, etj.
Kerkoni ne arkiv
Vlereso artikullin



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj