Presidenti Topi ne Samitin e Ohrit: Evropa e Bashkuar nuk mund të jetë e plotë pa shtrirjen e saj drejt Ballkanit Perëndimor
Me poshte eshte fjala e plote e presidentit te Republikes se Shqiperise mbajtur ne Samitin e Ohrit:
Dëshiroj të falënderoj Presidentin Cervenkovski për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm dhe për mikpritjen e ngrohtë në qytetin e bukur të Ohrit.
Të dashur miq,
Nga takimi i fundit në Bërno e deri sot, kontinenti evropian ka përjetuar ngjarje të rëndësishme politike, ekonomike e sociale, të cilat kanë pasqyruar jo vetëm ecurinë e suksesshme të proceseve të bashkërenduara integruese, por edhe pakthyeshmërinë dhe domosdoshmërinë e ndjekjes së tyre. Në këtë dinamikë ndryshimesh janë përfshirë edhe vendet tona, të cilat, nëpërmjet mozaikut të stadit të tyre integrues, na ndihmojnë të kuptojmë historinë dhe të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët evropiane.
Vlerësoj se të qenit të gjithë bashkë në këtë proces misionar, është rruga më e drejtë dhe më e shpejtë për t’u siguruar popujve tanë, vendeve tona, Evropës e, sidomos rajonit tonë, stabilitet afatgjatë dhe zhvillim të qëndrueshëm. Është e vërtetë se ky proces nuk është i njëtrajtshëm, por kryesorja është se ne kemi rënë dakord që këto sfida t’i përballojmë së bashku, të ndajmë përgjegjësitë dhe të shkëmbejmë përvojën e përfituar, duke mirëpritur e vlerësuar ndihmën e partnerëve tanë euroatlantikë.
Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ndryshimeve dhe transformimeve pozitive në rajon në pesëmbëdhjetë vjetët e fundit. Nga një rajon shumë i nxehtë me probleme konfliktuale politike, etnike, fetare dhe ekonomike ai po kthehet, çdo ditë dhe më tepër, në një rajon stabiliteti, sigurie e progresi.
Orientimi euroatlantik, pra procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO i vendeve të rajonit, ka dëshmuar qartë se ka kontribuar në përshpejtimin e reformave demokratike, institucionale dhe ekonomike në vendet e përfshira në proces dhe po e transformon çdo ditë atë në një hapësirë bashkëpunimi, përgjegjësie, partneriteti dhe besimi reciprok.
Në këtë rrugë të gjatë, shpesh të mundimshme, roli dhe kontributi i komunitetit euroatlantik për të normalizuar situatën në rajonin tonë ka qenë jetik. Institucionet euroatlantike u ndërtuan si mishërim dhe mbrojtëse të lirive individuale, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Shqipëria është e palëkundur në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në NATO-s dhe në Bashkimin Evropian. Marrja e ftesës gjatë Samitit të Bukureshtit përbën jo vetëm një moment historik në marrëdhëniet e saj me Aleancën, por njëkohësisht një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e saj. Ajo shënon kurorëzimin me sukses të përpjekjeve 15-vjeçare të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO dhe hap perspektivën e saj të sigurt në drejtim të projektit tonë kombëtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Procesi i Stabilizim-Asociimit ku marrin pjesë edhe vende të tjera të rajonit, ka përcaktuar një kuadër detyrimesh konkrete dhe një perspektivë të qartë në aspektin politik, ekonomik, social dhe në atë të sigurisë. Ratifikimi i MSA-së nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, do të vlerësonte realisht mundësitë dhe kapacitetet e Shqipërise për paraqitjen e aplikimit për statusin e kandidatit në koordinim me partnerët tanë evropianë, do t’i jepte një shtysë të re inkurajuese të gjithë procesit të integrimit, do të evidentonte edhe një herë besimin dhe mbështetjen që vendet anëtare i japin Shqipërisë dhe rajonit tonë për të avancuar normalisht drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Përballja dhe kapërcimi i sfidave të integrimit në Bashkimin Evropian, ndër të tjera, nënkupton përpjekjet që duhet të bëjë secili prej vendeve tona anëtare i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore për të kooperuar me vendet e tjera për t’u integruar në tregun e përbashkët evropian.
E vlerësoj këtë takim të një rëndësie të veçantë, sepse ky moment historik na shërben për të identifikuar më mirë të gjithë ata faktorë që influencojnë pozitivisht në interesin tonë të përbashkët dhe në interesin e secilit vend, për një zhvillim dhe kooperim të mëtejshëm ekonomik në një treg, me rreth 60 milionë konsumatorë.
Evropa e Bashkuar nuk mund të jetë e plotë pa shtrirjen e saj drejt Ballkanit Perëndimor.
Prania e grupeve serioze të investitorëve të huaj me një potencial të konsiderueshëm ekonomik dëshmon se vendet e rajonit të Ballkanit përbëjnë një mundësi reale për të përballuar dhe kapërcyer sfidat e integrimit në Bashkimin Evropian.
Është shumë e qartë se, zgjidhja e krizës energjetike në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përballimi i kërkesës në rritje për energji, përveç investimeve për prodhimin e energjisë, natyrisht, kërkon investime për transferimin e energjisë nga një vend në tjetrin dhe anasjelltas, çka përbën një mundësi domethënëse për investim.
Mendoj se, në këtë kontekst, nuk do të ishte e tepërt që, nga secili vend, të bëhej një rivlerësim i ndërhyrjes dhe i ndihmës qeveritare, sidomos në infrastrukturë, energji dhe telekomunikacion, për të nxitur dhe shtuar investimet direkte në vendet anëtare të CEFTA-s.
Të gjitha përpjekjet tona integruese do të mbeteshin në letër nëse nuk do të shoqëroheshin me reforma të thella në sistemin e lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitaleve dhe të mirave materiale midis vendeve tona. Lëvizja e lirë do të thyente konceptet e vjetra izoluese të Luftës së Ftohtë dhe do të rrëzonte përfundimisht muret ideologjike dhe politike midis popujve të ndërtuara në interes të kësaj Lufte. Nënshkrimi dhe hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor jep shpresën se, vullneti dhe qëllimi i përbashkët politik i nënshkrimit të saj, do të japë shpejt frytet e saj në praktikë.
Të nderuar kolegë,
Sot ne ndodhemi përballë një realiteti krejt të ri në rajonin tonë. Republika e Kosovës, me të cilën shumica e vendeve që ju përfaqësoni kanë vendosur tashmë marrëdhënie diplomatike, po ndërton, në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian, programe reformash integruese në funksion të qëllimit të saj euroatlantik. Republika e Shqipërisë gjykon se përfshirja e këtij realiteti të ri, e kësaj të vërtete të re, në proceset tona të përbashkëta do të ndihmonte zbatimin në rajon dhe në Evropë, të projekteve dhe investimeve gjithëpërfshirëse politike, sociale, ekonomike, por sidomos atyre të demokracisë e sigurisë afatgjatë dhe do të jepte garancinë se, emancipimi politik evropianist i Ballkanit Perëndimor, është futur në një rrugë të pakthyeshme.
| Dj | Hn | Mr | Mk | Ej | Pr | Sht |
| 1 | 2 | 3 | 4 | 5 | ||
| 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 |
| 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 |
| 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 |
| 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj