Ndihme dhe mbeshtetje per femijet jetime ne njeren prej familjeve te tragjedise se Gerdecit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte në Vorë, pikërisht në një prej familjeve më të prekura të tragjedisë së Gërdecit. Në fshatin Moçaj, lideri i opozitës ngushëlloi familjen e Shefqi dhe Bukurie Canit, të cilët mbetën viktima në fabrikën e çmontimit të predhave, duke lënë jetimë tre fëmijë. Të zbritur nga malet e Martaneshit, për një jetë më të mirë në fshatin Gërdec, familja Cani po ndërtonte një shtëpi me të ardhurat e siguruara nga puna që bënin çdo ditë të dy bashkëshortit në fabrikë, por që pas shpërthimit, tashmë kanë humbur jetën.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i takoi vet nga afër fëmijët e mbijetuar ndërkohë që, pa edhe karabinanë e shtëpisë, e cila do të ndërtohej me lekët, që mblidheshin nga fabrika e vdekjes. Njëri prej djemve, mes hidhërimit për humbjen e prindërve, u shprehë gjithashtu se ndihet i braktisur, duke parë që shtëpia e tij nuk ka më të ardhura të ndërtohet, ndërsa pas disa ditësh duhet të lërë edhe shtëpinë me qera.
“Atje kanë qenë për çapën e bukës, për të bërë diçka këtu, për të na strehuar si gjithë të tjerët. Jam pa fjalë, jam i tronditur shumë, që kam humbur dy sytë e ballit. Unë nuk kam asnjë lloj ndihme, jam në mes të rrugës. Por me ndihmën tuaj shpresoj se mund të bëj diçka”.
Pasi e preku vet nga afër situatën e vështirë dhe në të njëjtën kohë pasi i dëgjoi të tre djemtë, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri të ditur se duhet dhënë një ndihmë urgjente ndaj fëmijëve jetim. Kryetari i opozitës, u premtoi atyre, se me ndihmën e deputetit Sadri Abazi dhe sipërmarrësve të Partisë Socialiste, shtëpia e tre djemve do të ndërtohet e gjitha.
“Janë shumë familjet e dëmtuara, janë shumë nevojat, por në radhë të parë familjet, që kanë humbur njerëz dhe jetimët, që nuk ka asnjë mundësi të vazhdojnë jetën, duhen ndihmuar me urgjencë. Ne morëm përsipër sëbashku me njerëzit tanë sipërmarrës, që t’i lehtësojmë të ardhmen këtyre tre djemve të mbetur pa prindër. Shtëpia për të cilën kanë zbritur nga larg, nga malet e Martaneshit dhe për të cilën u vranë prindërit ka mbetur pa çati, ndërkohë që shtëpia, që kanë me qira është e përkohshme dhe duhet të dalin në fund të prillit. Ne me mundësitë tona modeste dhe me angazhimin e drejtpërdrejtë të një përfaqësuesi në parlament të partisë sonë, që është edhe sipërmarrës, do t’i ndihmojmë që të hedhin çatinë dhe që të hyjnë brenda dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre, të ndërtojnë familjet e tyre, të ndërtojnë jetën e tyre. Kjo nuk është zgjidhje për të gjithë. Ne nuk kemi mundësi të zgjidhim problemet e të gjithëve, sepse ne jemi sot për të ngritur zërin, në emër të të gjithëve në adresë të qeverisë, që duhet ta bëjë këtë punë. Por nga ana tjetër nuk mund të rrimë duarkryq dhe do të bëjmë gjithçka mundemi nga ana jonë për të impenjuar njerëz, për të impenjuar ndihma, për të impenjuar sipërmarrës, që të bëjmë sa të mundemi”.



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (0 vendosur):
Vendosni komentin tuaj