Prokurorët: Ka dyshime se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka kryer shpërdorim detyre
Dy javë pas shpërthimeve në fshatin Gërdec, ku humbën jetën 22 persona dhe u plagosën qindra të tjerë, prokuroria e Tiranës zbulon elementë të veprës penale në morinë e urdhrave të firmosur nga ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ka mjaftuar një gjysmë-akuzë për shpërdorim detyre, që grupi i prokurorëve të Tiranës të heqë dorë nga çështja, duke ia deleguar katastrofën e Gërdecit Prokurorisë së Përgjithshme. Ky lajm bëhet i ditur nga zyra e shtypit pranë kryeprokurores Ina Rama, e cila njofton se vazhdimi i mëtejshëm i hetimit do të kryhet në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi ka dyshime që ish-ministri i Mbrojtjes, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë, të ketë konsumuar veprën penale të "shpërdorimit të detyrës". Meqënëse Mediu ka imunitet, hetimi i mëtejshëm i tij për tragjedinë e Gërdecit mund të kryhet vetëm pranë zyrës së kryeprokurores Ina Rama.
"Grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës, i cili është marrë për dy javë me çështjen e shpërthimeve në Gërdec vendosi të shpallë moskompetencën e Prokurorisë së Tiranës për vazhdimin e hetimit të kësaj çështjeje dhe t'ia kalojë aktet instancës kompetente, Prokurorisë së Përgjithshme",-thuhet në njoftimin për shtyp të zëdhënëses Olta Zhiti. Ajo shton më tej se në këtë konkluzion u arrit për shkak se prej të dhënave të përfituara nga hetimi i deritanishëm, grupi hetimor ka dyshime në kuadër të kësaj çështjeje, se ka elemente të veprës penale, sipas së cilave ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mund të ketë konsumuar akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Për këtë shkak, duke qenë se hetimi i personave që gëzojnë imunitet është në kompetencë të Prokurorisë së Përgjithshme, dosja ka kaluar për shqyrtim tek prokurorët e kësaj prokurorie. Ky vendim u mor pasditen e djeshme, pasi grupi i përbërë hetimor ishte mbledhur prej orës 09.00 të mëngjesit e deri në 17.00 të pasdites. "Gjatë gjithë ditës kemi bërë analizën e provave të mbledhura deri tani dhe krahasimin e dokumentave të sekuestruara në Ministrinë e Mbrojtjes, për të dalë në përfundime",-bëri dje me dije një anëtar i grupit hetimor
Pas arrestimit të menjëhershëm të ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, grupi i prokurorëve nuk nxitoi të merrte nën hetim zyrtarë të tjerë për tragjedinë e Gërdecit. Por dy javë pas hetimeve intensive, duket se rrethi i të hetuarve do të zgjerohet nga kulmi i piramidës së Ministrisë së Mbrojtjes deri në bazë. "Nga hetimet e deritanishme është ngritur dyshimi se ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka konsumuar veprën penale të "shpërdorimit të detyrës". Ai kapropozuar ligjin për tregtinë e armëve dhe municioneve nga kompanitë private, ndryshimin e strukturës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe zgjerimin e kompetencave të ndërmarrjes shtetërore MEICO",-pohuan pjesëtarë nga grupi i hetimit. Megjithatë, pozita e ish-ministrit Mediu është rënduar edhe nga qëndrimi i ushtarakëve më të lartë në vend, të cilët ia kanë faturuar atij tragjedinë e Gërdecit, gjatë dëshmive të tyre në prokurori. "Ndër dokumentet e lidhura në dosjen hetimore që tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Përgjithshme për kompetencë, janë renditur edhe disa shkresa zyrtare dhe procesverbale të ushtarakëve të lartë të Shtabit të Përgjithshëm, të cilët në disa momente kanë njoftuar ministrin Mediu për vështirësitë e tyre në kryerjen e inspektimit në fabrikën e Gërdecit, pasi nuk lejoheshin nga drejtuesit e kompanisë MEICO dhe firmës kontraktuale "Albademil". Nga ana e tij, ministri Mediu ka mohuar ekzistencën e këtyre lajmërimeve, por ballafaqimi i këtyre dëshmive pritet të kryhet në të ardhmen. "Në Prokurorinë e Përgjithshme, menjëherë pas dorëzimit të dosjes hetimore për moskompetencën e hetimit të saj, ka filluar shqyrtimi i materialeve për të vlerësuar vendimin e marrë prej prokurorëve të Prokurorisë së Tiranës",-thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë mbrëmë nga zyra e kryeprokurores Ina Rama.



del.icio.us
AskJeeves
Google
Yahoo
Windows Live
Technorati
Newsvine
Digg



Komente (1 vendosur):
Vendosni komentin tuaj