24 ore lajme: Gazetari i New York Times: Mediu me beri presion dhe me vodhi kaseten Gazetari i New York Times: Mediu me beri presion dhe me vodhi kaseten ================================================================================ Anila Basha, Gazeta Shqiptare on 28 March, 2008 10:54:00 Gazeta Shqiptare, dje kontaktoi me gazetarin e New York Times që ka qëndruar në Shqipëri për katër ditë Nicholas Wood. Ai rrëfen investigimin 1-vjeçar të gazetës për çështjen e trafikut të armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit. Por gjatë qëndrimit në Tiranë, gazetari që investigonte trafikun e armëve, është gjendur përballë të papriturave që për të dhe kameramanin ishin të pakëndëshme, madje kërcënuese. “Më ofruan para” thotë gazetari, i cili nuk i ka pranuar, edhe pse ka pasur ndërmjetës në mes. Ai nuk është zgjatur tek akuzat e Berishës për të dhe për gazetën, ndërsa është në dijeni të letrës që kryeministri i Shqipërisë i ka dërguar NYT, në të cilën thoshte se ai dhe i biri nuk janë përfshirë në aferën e trafikut të armëve. Zoti Wood, sa kohë harxhuat në Shqipëri për artikullin e botuar në numrin e djeshëm të NYT, dhe sa kohë harxhuat me gjithë punën tuaj investigative? Ne e nisëm investigimin tonë në shtator të vitit të kaluar. Në fillim po hetonim për dërgesat e armëve në përgjithsi nga Ballkani drejt Afganistanit dhe Irakut, por që nga tetori i vitit të kaluar, hetimi ynë u përqëndrua në dërgesat e municioneve nga Shqipëria drejt Afganistanit. Pjesa më e madhe e punës sonë u bë duke hetuar dokumenta që kishin lidhje me marrëveshjet e AEY me EVDIN, MEICO dhe ushtrinë amerikane. Në fund të nëntorit, unë mbërrita në Tiranë për të konfirmuar disa dyshime. Qëndrova katër ditë. Bëra një intervistë zyrtare me Mediun dhe Pinarin. Udhëtova gjithashtu në zonën ushtarake të Tiranës me zotin Pinari për të parë municionin që ishte përgatitur për t’u dërguar në Kabul. Gjatë intervistës me Mediun në zyrën e tij i paraqita dyshimet për korrupsion nëpërmjet përdorimit të Evdin, atij dhe z. Mediu. Çfarë ndodhi më konkretisht gjatë bisedës suaj me zotin Mediu, pra në kohën që po e intervistonit? Unë po intervistoja Mediun në zyrën e tij dhe i përmenda çështjen e gjykatës italiane, që e dënoi atë në mungesë me tre vjet burg pasi kishte ndihmuar në aeroportin e Malpensas një kriminel në kërkim (dënimi në vitin 2005 u anulua). Kur ja përmenda, u mërzit (bërtiti “është gënjeshtër, është gënjeshtër”. Ky është background dhe mund të përdoret nga gazeta). Ai i tha kameramanit, që po regjistronte intervistën, të ndërpriste regjistrimin. Ne e nxorrëm kamerën jashtë dhe vazhdova intervistën duke mbajtur shënime. Gjatë intervistës ishte edhe Pinari. Në mbrëmje, pas intervistës, kameramanin e morën në telefon në shtëpi njerëz që i thoshin se flisnin në emër të Mediut dhe që e këshilluan se do të ishte në interes të tij të mos ia jepte kasetën e intervistës “Nju Jork Tajmsit”. Një ditë më pas, kameramani dhe punëdhënësi i tij, erdhën e më takuan në aeroport para se të nisesha e duhet të më kishin sjellë kasetën. Nuk ma sollën, por më shpjeguan se kishin patur presione nga Ministria e Mbrojtjes për të mos e dhënë kasetën. Ranë dakord të ma dërgonin me postë (Fedex, etj) pasi t’i kishin dorëzuar një kopje Ministrisë së Mbrojtjes. Mora avionin për në Lubjanë e, kur mbërrita, që mora vesh se, pas ikjes sime, disa persona i kishin shkuar në shtëpi kameramanit dhe i kishin marrë pajisjet e kasetat. Dukej qartë që kameramani e ndjente veten jashtëzakonisht të kërcënuar. Më raportuan se i kishin marrë koleksionin e kasetave dhe disa hard drive. Më vonë mësuam se babai i kameramanit ishte anëtar i partisë së Mediut. Si reaguat ndërkohë? Në atë kohë, i dërgova një SMS Mediut, duke i thënë se disa persona kishin marrë kasetën e intervistës. M’u përgjigj, duke thënë se “nuk e di për çfarë po flet” dhe më tha se kisha paraqitur një “figurë të keqe” të tij. “Shkruaj çfarë të duash”, më shkroi. Pasi u largova nga Shqipëria, kaluam disa kohë duke u marrë me kontratat dhe duke verifikuar variantet e ngjarjeve me të tjerë, të lidhur me çështjen e AEY. U morëm për shumë kohë me vëzhgimin e përdorimit të “Evdin-it”, kompanisë qipriote që kish lidhje me tregtarin zviceran të armëve Heinrich Thomet, për të cilin Diveroli tha se e kishin përdorur për të blerë armatimet. Në bisedat e regjistruara me Kosta Trebickën, ai tha se roli i Thomet-it ishte të sigurohej dhënia e ryshfetit për zyrtarët shqiptarë. Po ju e përfunduat me kaq incidentin që ju kishte ndodhur në Shqipëri? Ndonëse incidenti me kameramanin nuk u përfshi në shkrim, bëmë një ankimim zyrtar në Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve lidhur me trajtimin e tij dhe vjedhjen e pronës së “Nju Jork Tajms-it”. Po ju vetë, a ju kanë kërcënuar? Mua nuk më kërcënuan gjatë qëndrimit në Shqipëri, megjithëse u bë një tentativë e tërthortë në emër të Mediut ndaj njërit prej kontakteve të mia në vend. Një person i kërkoi kontaktit tim t’i thoshte në se kishte ndonjë mënyrë për të parandaluar botimin e artikullit. Ai i tha kontaktit tim se i vinte turp ta pyeste, por a mund të pranonin para për të mos e botuar atë? Kontakti më kërkoi të mos e përmend emrin e tij në këtë histori. Sipas investigimeve tona, ndaj personave që intervistuam në Shqipëri u bënë presione të fuqishme nga Mediu. Kosta Trebicka u bë epiqendra e një presioni shumë të madh dhe atij i janë bërë për afro tre muaj rresht telefonata kërcënuese. Kryeministri Berisha deklaroi në seancën parlamentare të 19 marsit në Shqipëri se i kishte dërguar një letër New York Times për artikullin. Eshtë e vërtetë? Zyra e Berishës në fillim të këtij muaji i dërgoi një letër „Nju Jork Tajms-it”, duke hedhur poshtë lidhjet e tij me çështjen e AEY, si dhe të një implikimi të mundshëm të të birit. Dhe e fundit, kryeministri deklaroi se për shkak të shpifjeve në këtë shkrim, ju ju kanë pushuar nga puna. A jeni akoma gazetar i kësaj gazete? Më në fund, diçka rreth punës sime në Nju Jork Tajms. Në dhjetor, m’u bë një ofertë nga Human Right Watch për të punuar në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Gaza. E pranova postin, që e mora në mars. Vazhdova të punoj për shkrimin e armëve, së bashku me Chris Chivers në janar, shkurt dhe mars dhe isha ende duke punuar për të në kohën kur Berisha bëri akuzat e tij.