24 ore lajme: Rama: Ne 17.30 ne Bulevardin Deshmoret e Kombit Marshim i Heshtur per pasigurine e jetes Rama: Ne 17.30 ne Bulevardin Deshmoret e Kombit Marshim i Heshtur per pasigurine e jetes ================================================================================ Korresp. 24-ore.com on 21 March, 2008 04:25:00 Kryetari i Partise Socialiste, Edi Rama, ka ftuar sot te gjithe qytetaret ne marshimin e organizuar ne nder te viktimave te tragjedise se Gerdecit. Lideri socialist ka theksuar se marshimi i sotem, i cili do te behet pergjate bulevardit “Deshmoret e Kombit” do te jete nje marshim I heshtur ku do te mungojne flamujt dhe fjalimet politike. “Sot ne bulevardin “Deshmoret e Kombit” do te jene qytetaret qe do te flasin ne ecjen e heshtur ne emer te qytetareve qe humben jeten ne Gerdec, ne rruge, ne feste, duke lene pas plage familjare per shkak te nje fatkeqesie qe na rri mbi koke te gjitheve e qe quhet keqqeverisje. Sot eshte dita per te treguar se pavaresisht bindjeve partiake, jemi qytetare te bashkuar kunder politikes se duarve te pista qe vrasin jeten, zhdukin pronen, plagosin shpresat” tha Rama. Sot pasdite në orën pesë e gjysëm në Bulevardin Dëshmorët e Kombit çdo qytetare e qytetar, pavarësisht bindjeve politike e partiake, si prind apo e re dhe i ri, që ndjen dhimbje, indinjatë, nevojë për siguri e për qetësi në atdheun tonë, është i ftuar të marrë pjesë në ecjen homazh në nderim të fëmijëve, grave e burrave, që humbën jetën në tragjedinë e Gërdecit dhe të dëshmojë, me praninë e tij, nevojën jetike të kësaj shoqërie për sigurinë e jetës, të familjes e të pronës. Sot pasdite në orën pesë e gjysëm në Bulevardin Dëshmorët e Kombit s’do të jenë partitë politike, por qytetarët, përtej të majtës e të djathtës, që do të flasin me Ecjen e Heshtur në emër të viktimave të Gërdecit e të mijëra viktimave të tjera të mungesës së patolerueshme të sigurisë së jetës e të mungesës së turpshme të shtetit të zhytur në korrupsion, në emër të të gjithë atyre që kanë humbur jetën në rrugë, në punë, në festë, duke lënë pas plagë të rënda familjare jo për shkak të fatkeqësive natyrore po për shkak të një fatkeqësie që na rri mbi kokë të gjithëve e që quhet keqqeverisje. Sot pasdite në orën pesë e gjysëm në Bulevardin Dëshmorët e Kombit s’do ketë as fjalime e as flamuj partiakë, po zemra qytetarësh të bashkuar kundër një të keqeje të madhe që po gërryen përditë Shqipërinë përmes papërgjegjshmërisë, paaftësisë e korrupsionit të frikshëm të duarve të fëlliqura, të cilat kanë marrë prej popullit votën për të qeverisur të pastra punët e këtij vendi, por, siç na tregon historia e siç na dëshmon kuptimplotë shpërthimi ulëritës i Gërdecit, kanë gatuar me jetë njerëzish të varfër e fëmijësh të pafajshëm, një zullum që mund të na mbysë të gjithëve nëse të gjithë, së bashku, nuk e kthejmë, me forcën e dëshirës për të jetuar e rritur fëmijët tanë në një atdhe të sigurtë, këtë faqe të zezë të historisë sonë. Sot pasdite në orën pesë e gjysëm në Bulevardin Dëshmorët e Kombit një Shqipëri tjetër, Shqipëria e njerëzve të ndershëm të punës e të sakrificave, qofshin socialistë, demokratë apo pa parti, Shqipëria e nënave e baballarëve që duan siguri e arsimim për fëmijët e tyre, punë e qetësi për familjet e tyre, shpresë e ardhmëri për vendin ku jetojnë, Shqipëria e të rejave e të rinjve të kërcënuar nga pasiguria e papunësia në një atdhe të kapur peng nga duart e zullumit, Shqipëria e të drejtës së jetës, së shkollës, së punës, Shqipëria e barazisë para ligjit, e të drejtës së informimit, e aspiratës europiane, do të ecë e bashkuar në Bulevardin Dëshmorët e Kombit për të dëshmuar se dëshiron me forcë të jetojë, të mësojë, të punojë e gëzojë në paqe ditëlindjet e fëmijëve. Sot është dita për të treguar se përpara se të jemi socialistë, demokratë apo çfarëdoqoftë përkatësie partiake jemi qytetarë të bashkuar kundër politikës së duarve të pista që vrasin jetën, zhdukin pronën, varrosin shpresën. Si qytetar jo si politikan, si prind jo si kryetar partie, në mbrojtje të jetës dhe në emër të së drejtës së çdo shqiptareje e shqiptari për të jetuar i lirë e i sigurt në atdheun e tij, unë do të jem sot në orën pesë e gjysëm bashkë me të tjerët, njësoj si të tjerët.